Gjykata e la në arrest shtëpiak, çfarë garancie dha Redi Popesku për armën që akuzohet

Shqipëria

Gjykata e la në arrest shtëpiak, çfarë garancie dha Redi Popesku për armën që akuzohet

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 13:18
Redi Popesku

Gjykata e Tiranës vendosi dje të lirojë nga burgu Redi Popeskun, pronarin e lokalit “Monopol” në ish-Bllok, ku ndodhi përplasja me armë me një të vdekur dhe disa të plagosur.

Popesku u arrestua nga Policia ditën e diel, duke u vënë nën akuzë për “veprime që pengojnë hetimet”, pasi sipas Prokurorisë, ai ka fshehur armët e zjarrit në vendngjarje pasi ndodhi përplasja.

Mirëpo, Gjykata ka vlerësuar se arrestimi i tij është i ekzagjeruar, duke e lënë në masën e “arrestit shtëpiak”, pasi nuk rrezikon të largohet apo prishë provat. Seanca gjyqësore nisi në orën 11:30 ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës dhe u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.

Sipas mbrojtjes, Redi Popesku nuk ka fshehur asnjë armë në vendin e ngjarjes. Avokati i tij, Ardian Leka, ka folur pas vendimit të Gjykatës, duke kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë së Tiranës për Popeskun. Ai e ka cilësuar edhe vendimin e Gjykatës për “arrest shtëpie” si të padrejtë.

“Vendimi i Gjykatës nuk ishte i drejtë. Prokurorët mund ta kishin zgjidhur me urdhër ndalimi dhe jo me arrest në flagrancë. Ndaj tij nuk mund të vendoset një masë e tillë, pasi ai nuk mund të pengojë të vërtetën. Janë marrë gëzhojat nga vendngjarja dhe janë çuar për ekspertizë. Pra asnjë veprim që ai mund të kryejë nuk e pengon të vërtetën. Ai nuk ka fshehur asnjë armë.

Ai ka leje për një pistoletë dhe disa armë të tjera, mes tyre edhe një çifte. Ne nuk thamë që ai nuk e dorëzon armën. Problemi është se Popesku është thirrur për të dorëzuar armën dhe meqenëse prokurorët nuk e kanë gjetur aty në atë moment, kanë bërë arrestimin e Popeskut. Deri më sot arma nuk është dorëzuar. Nëse kërkohet arma, do të merret dhe me të do të eksperimentohet për të parë nëse në vendngjarje janë përdorur të njëjtat gëzhoja”, tha Ardian Leka.

Përplasja me armë në lokalin e Popeskut la të vdekur Fabian Gaxhën dhe plagosi Ervis Martinajn dhe Eljon Haton. Për këtë, në kërkim janë biznesmeni Ervin Mata, i cili është i fejuari i këngëtares Elvana Gjata dhe komandoja Meviol Bilo, që dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri.

Nga ana tjetër, ende nuk dihen me saktësi motivet e përplasjes. Sipas Ervis Martinajt, konflikti ka ardhur mes Meviol Bilos dhe Fabian Gaxhës. Në të njëjtin version qëndron edhe Popesku, duke thënë se Mata dhe Martinaj janë takuar normalisht përpara se të ndodhtë shkëmbimi i zjarrit. Megjithatë, ka dyshime të forta se gjithçka mund të ketë nisur për një ngacmim të këngëtares Elvana Gjata.

AKUZA KUNDËR POPESKUT

Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se 40- vjeçari Popesku akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Më konkretisht, mësohet se pronari i lokalit në zonën e ish-Bllokut ka refuzuar për 16 ditë me radhë, që nga momenti i ngjarjes, që të dorëzonte në Polici një pistoletë që mbante me leje. Proceduralisht, Policia, duke qenë se ishte në dijeni se ai dispononte armë me leje, i ka kërkuar Popeskut që t’i vinte ato në dispozicion të grupit hetimor. Megjithatë, ai ka dorëzuar vetëm një armë gjahu dhe jo pistoletën, ndonëse nga verifikimet dhe ekspertimet balistike nuk rezulton që të jetë qëlluar me këtë armë, sërish veprimi i 40-vjeçarit ka penguar punën e Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat