Basha nga Kosmaçi: 500 milionë euro vidhen çdo vit nga oligarkët

Shqipëria

Basha nga Kosmaçi: 500 milionë euro vidhen çdo vit nga oligarkët

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 15:40
Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike pa nga afër situatën e fermerëve në Kosmaç të Vaut të Dejës.

Zona prodhon në 90 ha sera, por që pjesa më e madhe e perimeve groposet ose hidhet për shkak të mungesës së tregut dhe pikave të grumbullimit.

Fermerët thonë se investimi prej 6.5 milion dollarësh është privat dhe 30% e fermerëve janë me kredi në bankë.

 ‘Asnjë subvension nga shteti. Për ne është një litar në qafë. Prej 5 vitesh nuk marrin asnjë lloj subvencioni. Kemi aplikuar për subvencione në bujqësi por asgjë s’kemi marrë.’, thotë një fermer.

Kryetari Basha tha se kandidatët e Partisë Socialiste për pushtet përfitojnë subvencione jo fermerët e ndershëm.

‘Kjo është skema. Mark Babani ka marrë subvencione. Përse? Që t’i derdhë si lek për të blerë si vota kur të vijnë zgjedhjet. Kjo është skema e këtij shteti të korruptuar e të falimentuar. Ju mbledh lekët ju përmes taksave, këto taksa i ndan me një grusht oligarkësh dhe klientësh të qeverisë dhe pastaj u kërkon atyre që paratë që kanë marrë në mënyrë të padrejtë dhe korruptive, t’i derdhin sa herë të ketë fushata elektorale për të shkatërruar vullnetin e qytetarëve, për të kapur pushtetin. Një rreth vicioz. E blejnë pushtetin me lek dhe e përdorin pushtetin për të vjedhur më shumë lek’, tha Basha.

Ai tha se fermerët sot në vend përballen me dy probleme; nuk mbështeten financiarisht nga shteti në prodhimin e produkteve dhe së dyti nuk ka treg për shitjen e produkteve të tyre, por përkundrazi pengohen.

‘Kryeministri Rama, ministri Ditmir Bushati, njëkohësisht deputet i zonës, dhe Tom Doshi kanë premtuar dhënien e subvencioneve për fermerët, por që realisht fermerët nuk kanë marrë asgjë’, tha Basha.

Banorët thonë se janë detyruar vetë të monitorojnë tokat për të mos lejuar mbjelljen e drogës, por vetëm prodhimet e tyre.

 ‘Qeveria uli traun me Kosovëm dhe rriti doganën, cka automatikisht e bëri të pamundur eksportin e këtyre perimeve. Kryeministri ka ardhur tre herë në Kosmac, erdhi herën e parë kur hapi fushatën premtoi shumë, erdhën herën e dytë për të bërë një fjalim, por edhe herën e tretë në fushatë, prapë nuk bëri gjë.

Këtë vend ka ardhur edhe ministri i Bujqësisë Peleshi, premtoi kanalizimi dhe ujitje, po kështu edhe ministri Bushati, asgjë nuk është bërë.

Të vetmen shpresë për investime kemi patur nga Bashkia, e cila ka pastruar 8 mijë metër kanale bujqësore, të pamundura të bëhen me punëtor krahu. Por kur nuk financon shteti për fshatra është e pamundur. Kemi 580 sahate dritash, jemi pagues të rregullt të dritave’, thotë kryeplaku i fshatit.

Image

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat