Parku natyror i Zagorisë tërheq turistët e huaj

Shqipëria

Parku natyror i Zagorisë tërheq turistët e huaj

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 16:50
Parku natyror i Zagorisë

Fshatrat e Zagorisë Sheper, Nivan, Nderan, Topovë, Hoshtevë, Lliar, Zhej, Doshnicë, Vithuq, janë kthyer në destinacione të vizitueshme nga dashamirësit e natyrës dhe të peizazhit.

Fluksi i vizitorëve në Parkun Natyror “Zagori” vazhdon të jetë i lartë dhe në këto ditë vjeshte. Zagoria është një thesar vlerash natyrore, kulturore e kulinarike dhe kohët e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar turistik për Qarkun e Gjirokastrës.

Turistët e huaj tashmë po eksplorojnë këtë park mjaft interesant ku ata mund të përjetojnë aventurën, bukuritë natyrore dhe kulturën.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur se ,”fluksi i turistëve të huaj është rritur ndjeshëm në Parkun Natyror “Zagori”. Peizazhi i vjeshtës, kultura, kulinaria dhe mikpritja e kanë shndërruar zonën në një destinacion të preferuar për vizitorët e huaj”.

Ky park natyror shtrihet mes vargmaleve Shëndëlli, Lunxhëri, Bureto, Trebeshinë, Dhëmbël e Nemërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në Jugun e vendit.

Zagoria ngjan brenda kësaj kurore malesh si një “perlë e rrallë natyrore”. Një hijeshi marramendëse që nga malet e lartë, shkëmbinjtë e ashpër e të thepisur, oaze të gjelbra me pemë, lule e bar, vlerat e bio-diversitetit, vlerat kulturore dhe shpirtërore që ka kjo zonë shtojnë pasionin për të tërhequr në gjirin e saj shumë vizitorë e turistë të huaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat