Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Vorë -Fushë Krujë, po vijojnë me intensitet të lartë, në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për mirëmbajtjen me performancë të akseve rrugore.
Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, shprehet se “në kantierin e hapur për rehabilitimin e aksit rrugor Vorë-Fushë Krujë ka përfunduar rruga nga Vora deri në kthesën e Rinasit”.
“Po vazhdon ndërhyrja në segmentin Kthesa e Rinasit-Fushë Krujë”, thekson Gjiknuri.
Ndërhyrja në këtë aks parashikon rehabilitimin e plotë të nënshtresave dhe paketë të plotë asfaltike në 11 kilometra rrugë.
Investimi i parashikuar shkon në 4.3 milionë euro dhe prek gjithashtu edhe gjithë sinjalistikën vertikale e horizontale.
Ky aks konsiderohet me rëndësi, pasi lidh autostradën Tiranë-Durrës me pjesën e veriut të vendit. /ATSH