Mazhoranca “kyç” lojërat e fatit me 75 vota, radha për alkoolin

Shqipëria

Mazhoranca “kyç” lojërat e fatit me 75 vota, radha për alkoolin

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 09:48
Edi Rama

Mazhoranca votoi dje me 75 vota pro ligjin që ndalon zhvillimin e lojërave të fatit në Shqipëri pas 31 dhjetorit 2018. Rama falënderon deputetët që i qëndruan kërcënimit nga bota e errët e lojërave të fatit dhe premton një nismë kundër alkoolit… Parlamenti rrëzon dekretin e Presidentit, Teatri Kombëtar do të shembet.

Me 75 vota pro deputetët e mazhorancës votuan për ligjin që mbyll përfundimisht kazinotë, lojërat elektronike dhe bastet sportive të të gjitha llojeve pas datës 31 dhjetor të këtij viti. Sikurse pritej, deputetët e Partisë Socialiste janë vënë në “rresht” për të kaluar këtë ligj, që angazhoi vetë kreun e qeverisë. Që në nisje të seancës Rama pasi nuk kurseu batutat për opozitën e cila nuk ishte e pranishme në sallën e Parlamentit, përgëzoi deputetët e Komisionit të Ekonomisë, të cilët mbajtën “barrën e presioneve” që vinte nga industria e madhe e lojërave të fatit. Në këtë pikë, kryeministri Edi Rama iu ka dhënë një përgjigje personave, që kanë kërcënuar deputetët e Komisionit të Ekonomisë, të cilët votuan amendamentet për ligjin e lojërave të fatit, duke i shpallur ato të jashtëligjshme, ndërsa ka thënë se ata do të marrin përgjigjen e merituar me mbylljen e lotove dhe kazinove, si dhe me përgjigjen ligjore. “Respekt për të gjithë ata që kaluan një periudhë stresi të veçantë me shumë sms të llojeve të ndryshme dhe atyre që i kanë çuar ato sms që i kanë porositur nga jashtë apo brenda burgut, iu jap një përgjigje tani me ndalimin e bixhozit dhe në vijim do u japim përgjigje të njëpasnjëshme, siç nuk i kanë parë në ëndrrën e tyre më të keqe”, -u shpreh Rama. Para se podiumin ta zinte kreu i qeverisë mbajti fjalim edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, që pranoi se drejt tij dhe kolegëve kishin mbërritur shumë mesazhe kërcënuese për t’u tërhequr nga nisma për mbylljen e lojërave të fatit. Braçe lexoi një mesazh që i kishte ardhur nga persona të panjohur, ku thuhej se me mbylljen e lojërave të fatit po i hiqnin bukën e fëmijëve dhe se tashmë ata do merreshin me fëmijët e deputetëve. I “ekzaltuar” nga miratimi i ligjit që mbyll lojërat e fatit, kryeministri po dje ka lëshuar një tjetër sfidë, këtë herë ndaj përdorimit të alkoolit. “Tani radhën e ka beteja kundër tregtimit të alkoolit për të rinjtë nën 18 vjeç dhe ndalimi i hyrjes në lokale për ta gjatë orareve të mësimit, të pashoqëruar me mësues apo prindër. Shumë shpejt plani i masave administrative për lokalet që kapen në shkelje të këtyre dy rregullave”,  shkruan Rama. Për të ndërmarrë këtë nismë kryeministri nuk do ketë nevojë për të hartuar ligj të veçantë, pasi në ligjin aktual është e sanksionuar se nuk lejohet që fëmijëve nën 18 vjeç t’u ofrohen pije alkoolike apo cigare. Problem mbetet zbatimi i ligjit dhe kreu i qeverisë ka premtuar masa të forta dhe një tjetër aksion në këtë drejtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat