Buxheti i Shtetit 2019: 2.8 euro në vit për një të ri në Shqipëri

Shqipëria

Buxheti i Shtetit 2019: 2.8 euro në vit për një të ri në Shqipëri

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 14:48
Ilustrim

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri kërkon të shprehë shqetësimin mbi faktin që Buxheti i Shtetit për vitin 2019 ka parashikuar një fond të pamjaftueshëm për të rinjtë në Shqipëri.

Sipas analizës rezulton se shteti do të investojë vetëm 2.8 euro në vit për një të ri në Shqipëri. Nuk është hera e parë që Buxheti i Shtetit ka shfaqur mangësi serioze në drejtim të investimit për të rinjtë.

Qeveria në vitin 2015 miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë (2015- 2020), i cili sipas Raportit “Të Rinjtë në Shqipëri” mbetet gjërësisht i pazbatuar, për shkak të mungesës se financimeve nga Buxheti i Shtetit. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në buxhetin afatmesëm, parashikon shumën prej 250 milionë lekë për rininë për vitin 2019. Shpenzimet buxhetore janë ndarë në 3 zëra: financimi i agjensive dhe aktiviteteve rinore do të ketë 50 milionë lekë; rritja e pjesëmarrjes/mbështetjes financiare të organizatave rinore përmes projekteve rajonale të BE, (RYCO dhe ERASMUS plus) do të ketë 50 milionë lekë dhe ngritja dhe funskionimi i 3 qëndrave rinore më një fond prej 100-150 milionë lekë. Në Shqipëri jetojnë 695,836 të rinj dhe të reja të moshës 15-29 vjeç.

Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se buxheti i shtetit është vetëm 2.8 euro për një të ri në vit, ose 0.007 euro në ditë për një të ri! Fondi për rininë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, shënon vlerën e 0.01% të GDP-së. Në këtë drejtim lind pyetja: Si do ta zbatojë Qeveria shqiptare Planin e saj Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë, ndërkohë që Buxheti për të rininë ka këto vlera?

Mospatja e një buxheti të mjaftueshëm për të rinjtë do të thotë:

Më tepër të rinj dhe të reja që dëshirojnë të largohen nga Shqipëria. Sipas Raportit “Të Rinjtë në Shqipëri”, mbi 70% e të rinjve në Shqipëri dëshirojnë të largohen, për shkak të varfërisë, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit!

Rritje të veprave penale dhe mungesë të politikave sociale për të rinjtë! Sipas Raportit “Të Rinjtë në Shqipëri”, thuajse 50% e të dënuarve për krime në Shqipëri i përkasin moshës 15-30 vjeç.

Vendi nuk ka asnjë politikë sociale apo të drejtësisë për grupmoshën 21-30 vjeç!

Numër më të lartë të të rinjve të papunë! Sipas INSTAT, përgjatë vitit 2018, 26% e të rinjve në Shqipëri janë të papunë.

Çdo investim për të rinjtë do të përkthehet në më shumë të rinj të punësuar, në një arsimim cilësor dhe gjithëpërfshirës, në më shumë shërbime miqësore komunitare për të rinjtë, si dhe në rritje të numrit të të rinjve të cilët dëshirojnë të punojnë dhe kontribuojnë për zhvillimin e vendit dhe jo të gjejnë mundësinë e parë për tu larguar! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat