Vrasja e ekstremistit grek: Tirana dhe Athina në kurthin e Konstandin Kaçifas

Shqipëria

Vrasja e ekstremistit grek: Tirana dhe Athina në kurthin e Konstandin Kaçifas

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 18:39
Konstandin Kaçifas

Nuk ka dyshime se Kostandin Kaçifa ishte një ekstremist grek me prirje radikale dhe që ai të lëshonte breshëri plumbash kundër policisë shqiptare nuk i duhej ndonjë shkak i fortë.

Nga mesazhet që shpërndante në Facebook, u kuptua shpejt se viktima e vrasjes në Bularat, ishte pre e propagandës më bajate të nacionalistëve grekë.

Por megjithëse duket se Kaçifas, i ka të gjitha premisat për t’u bërë hero i idiotëve dhe po aq antihero i të njëjtës kategori, ai është kthyer në ushqimin e preferuar të politikës shqiptare dhe asaj greke, duke shkaktuar përplasje të forta politike.

Të parët që deshën ta shfrytëzojnë jetën e humbur të Kaçifas ishin grekët. Pa marrë parasysh rrethanat e ngjarjes, por duke ndjerë presionin e nacionalistëve brenda në Greqi, Aleksis Cipras e quajti të papranueshme jetën e humbur të 35 vjeçarit grek, që për më shumë se 30 minuta, i armatosur rëndë kishte qëlluar me armë ndaj policisë shqiptare dhe më pas ndaj forcave RENEA.

“Më pas u informuam zyrtarisht se në një shkëmbim zjarri me forcat e policisë shqiptare, Kostandini Katsifas humbi jetën. Shprehim keqardhjen tonë të thellë për vdekjen shtetasit grek, ngushëllime për familjen. Në çdo rast, është e papranueshme humbja e një jete” ishte reagimi i grekëve.

Etiketimi si “e papranueshme” për vrasjen e Kaçifas, pa llogaritur këtu breshëritë e armëve ndaj policisë shqiptare nuk u përcoll në heshtje nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme, që e quajti të pajustifikueshëm politizimin e ngjarjes.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme” shkruhej në reagimin e Bushatit.

Si të mos mjaftonte ky nivel reagimi dhe shkëmbimi replikash, në debat u fut Rama. Nga një postim në Tëitter, kryeministri e quajti viktimën “të fandaksur”, duke acaruar më tej tonet mes palëve.

“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”

Këtë shkëmbim deklaratash, ndërhyrjen aspak diplomatike të Ramës dhe më pas komentet e shumta që shoqëruan vrasjen e 35 vjeçarit, Sali Berisha i komentoi me një deklaratë në dukje të ekuilibruar, por që shigjetonte tërthorazi komentet e Ramës.

“Duke denuar disa reagime zyrtare te Athines por edhe te Tiranes, qe duan te perdorin rastin per qellime politike, konsideroj te nevojshme nje hetim te plote dhe transparent te kesaj ngjarje.

Me kete rast bej thirrje per nderprejen e histerise primitive antishqiptare ne Athine dhe asaj antigreke ne Tirane, qe nuk i sherbejne as te vertetes dhe as bashkepunimit mes popujve dhe vendeve tona!” shkroi Sali Berisha.

Ky koment i tij, është shoqëruar me një shpërthim nervash të Edi Ramës, të cilin ekulibri i Berishes për ngjarjen e ka nxjerrë nga kontrolli.

“Deklarata e SB për Bularatin një pisllëk që mund ta bëjë vetëm një materie e biodegraduar deri në palcë Sa shumë i dha Shqipëria këtij njeriu që do iki nga kjo botë pa lënë pas qoftë dhe një fjali për t’ua treguar fëmijëve apo një fjalim ku të mos duhet sinjali kujdes fëmijët” shkroi Rama, dukshëm i acaruar me Berishën.

Por gjithsesi të dhënat e policisë dhe hetimet e para për ngjarjen, flasin për një situatë që nuk mund të merrte zgjidhje tjetër nga RENEA. Me aktin e tij të sulmimit të policisë, 35 vjeçari do të merrte të njëjtën përgjigje në çdo vend të botës. Dhe në fund të fundit, anëtari i Agimit të Artë, ky ekstremist i sëmurë që shihte ëndrra me Vorio-Epir nuk mund të kishte dëshiruar vdekje më të mirë se duke luftuar në ditën e JO-së greke dhe sigurisht duke qenë objekt i debatit diplomatik mes dy shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat