Dosja italiane për Tahirin/ Përgjimet e Habilajve për bizhutë e shtrenjta

Shqipëria

Dosja italiane për Tahirin/ Përgjimet e Habilajve për bizhutë e shtrenjta

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 19:03
Saimir Tahiri

Prokuroria e Katanias ka verifikuar në detaje të gjitha citimet e Moisi Habilajt dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tij të trafikut të drogës, në të cilat kishte referenca për ish-Ministrin e  Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një nga përgjimet Moisi Habilaj flet për blerjen e disa bizhuterive për nënën dhe për bashkëshorten e Tahirit.

Dy elementë që u kërkuan edhe në shtëpinë e ish-Ministrit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, si lidhje mes deklaratave të Habilajve, por që nuk u gjetën.

Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Katanias, të publikuar ekskluzivisht nga “Tv Klan”, thuhet se, deklaratat u verifikuan në terren. U pyetën pronarët e dyqanit që i referohej Habilaj dhe u këqyrën të gjitha faturat.

“Në datë 23.11.2017, me qëllim verifikimin e blerjes së mundshme të bizhuterive nga shqiptarët Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj për Saimir Tahirin, u ftuan në zyrën e prokurorit, zoti Guido Donini dhe djali i tij Alessio Aroldo, respektivisht titullari i dyqanit të bizhuterive, të cilët, deklaruan se nuk u kujtoheshin faktet që janë objekt i hetimit dhe as që ta njihnin Moisi Habilajn. Në lidhje me aktivitetin në fjalë, u procedua për të kontrolluar dokumentacionin kontabël që iu kërkua atyre.

Në veçanti, zotit Alesio Aroldo Donini – administrator i vetëm i kompanisë DONINI Jewellery – iu kontrollua ky dokumentacion: Regjistri i faturave të lëshuara në vitet 2013 /14; Faturat e lëshuara në Dhjetor 2013 dhe Janar 2014; Libri i kontabilitetit për vitet 2013 dhe 2014; Regjistri i detyrueshëm kontabël i tatimpaguesve për vitin 2013/2014.

Guido Doninit iu analizua ky dokumentacion: Regjistri i faturave të lëshuara 2013/14; Faturat e lëshuara në Dhjetor 2013 e Janar 2014; Regjistri i detyrueshëm kontabël i tatimpaguesve për vitin 2013/2014″.

Rezultati i këtij ekzaminimi ka dhënë rezultate negative. Prokurorët nuk kanë gjetur asnjë provë që të vërtetonte citimet e Habilajve. 

“Ekzaminimi i dokumenteve të sipërpërmendur dha rezultate negative, çka do të thotë se nuk ka pasur operacione të hyrjeve në kasë në periudhën me interes për hetimin, lidhur me blerjen e dy byzylykëve nga Moisi Habilaj”.

Të njëjtën praktikë, prokuroria ka ndjekur edhe për blerjen e një kostumi të markës Hugo Boss, që përmendet në përgjime. Në datën 9.3.2018 është pyetur pronari i dyqanit të Hugo Boss, Giancarlo Platania. Janë parë edhe regjistrat e faturave të lëshuara në datat e përafërta me referencat e përgjimit. Rezultati, thuhet në dosjen e siguruar nga “Tv Klan”, është negativ.

Prokuroria e Antimafias Italiane i nisi hetimet në dt. 27.10.2017. Dhe më datë 15.03.2018, në përfundim të hetimeve që zgjatën thuajse 5 muaj i kërkoi Gjykatës Italiane të mbyllë hetimet me arsyetimin se “nuk ka prova dhe fakte” që implikojnë ish-Ministrin Tahiri.

Në dt. 5.10.2018, Gjykata Italiane e Catanias, me gjyqtarë Loredana Pezzino, bazuar në kërkesën e Prokurorëve të Antimafias, mori vendim për mbylljen e hetimit. Këtë dosje, Tahiri e dorëzoi të hënën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku po hetohet për trafik narkotikësh me Habilajt, duke thënë se ajo ishte një dosje decizive për procesin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat