Pse Stresi “zgjodhi” të qëndrojë në burg, Sali Lushaj zbulon arsyen: E pamë të udhës…

Shqipëria

Pse Stresi “zgjodhi” të qëndrojë në burg, Sali Lushaj zbulon arsyen: E pamë të udhës…

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 21:00
Stresi

Këngëtari i muzikës rap, Arkimed Lushaj, ka hequr dorë nga ankimimi i vendimit të Shkallës së Parë të Tiranës, që vendosi të caktojë ndaj tij masën e “arrestit me burg” për “armëmbajtje pa leje”.

Ditën e djeshme ishte paracaktuar të zhvillohej seanca për shqyrtimin e ankimimit në Gjykatën e Apelit në orën 09:45, mirëpo, avokati i tij, Marash Ibraj, hoqi dorë nga kërkesa për lirim, duke dhënë pak detaje.

Ai tha se Lushaj nuk besonte te drejtësia. Mirëpo, babai i tij, Sali Lushaj, në një postim në “Facebook” sqaroi se tërheqja kishte ardhur për shkak të shortit, duke akuzuar gjyqtaren si militante të majtë. Stresi u arrestua më 17 tetor për akuzën “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe të municioneve” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Arrestimi për Arkimed Lushajn erdhi pas një përgjimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në lidhje me grupin “Bajri”. Megjithatë, Lushaj nuk e pranon lidhjen me këtë grup, apo të jetë pjesë e tij. Deri më tani, as nga Prokuroria e Tiranës nuk ka akuzë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Reagimi

Babai i Stresit, Sali Lushaj, thotë në një postim në “Facebook” se tërheqja nga ankimimi në Apel i masës së sigurisë ka ardhur pasi gjyqtarja e çështjes është “gjyqtare e devotshme dhe e zellshme e partisë në pushtet”.

“E pamë të udhës dhe më të drejtë të mos dalë një i persekutuar politik përpara kësaj gjyqtareje militante të partisë, duke mos pasur pikën e besimit në dhënien e drejtësisë për Stresin. Dua t’ju bëj me dije se gjithë ajo bujë e madhe si organizator dhe si drejtues e si janë mësuar këta etërit e tyre në emër të popullit është shfryrë dhe nuk po dinë si të bëjnë. Askënd deri më sot nuk po mund ta bëjnë të dëshmojë kundër Stresit”, shkruan ai më tej.

Sali Lushaj zbulon porosinë që i ka dhënë: I thashë …

Në Gjykatën e Apelit pritet të shqyrtohej ankimi i masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Shkalla e Parë për këngëtarin Arkimed Lushaj, i arrestuar disa ditë më parë në Linzë.

Stresi mbahet në qelitë e paraburgimit, që prej datës 17 shtator kur u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe siç deklaroi Policia zyrtarisht, si pjesë e një grupi kriminal. Por duket se këngëtari 31-vjeçar nuk do të jetë vetë i pranishëm gjatë seancës, ku do të apelohet masa e sigurisë.

Të paktën, kështu u shpreh dje babai i tij, Sali Lushaj, i cili tha se e kishte takuar në burg dhe e kishte porositur që të mos paraqitej në gjyq. Këshillë kjo që, sipas Lushajt, ka të bëjë me gjyqtaren që do të drejtojë seancën e masës së sigurisë.

 “Gjyqtare e Apelit është Edlira Petri. I thashë Stresit në takim që të mos vijë fare në gjyqin e së hënës. Një familje persekutorësh nuk mund të gjykojë një të persekutuar. Pinjolle e një familje persekutorësh, nën urdhrat e partisë në pushtet”, u shpreh dje Lushaj për gazetën “Panorama”. Ndërsa ai shtoi se djali i tij, që, me shumë gjasë, as këtë herë nuk do të fitojë drejtësi, do të përfaqësohet në seancën e masës së sigurisë nga avokati.

Akuzat e Prokurorise

Arkimed Lusha, i njohur ndryshe si Stresi, u la në burg nga Gjykata e Tiranës, më 19 tetor, dy ditë pasi ishte arrestuar. Madje, Gjykata caktoi ndaj tij dy masa arresti. Fillimisht, konfirmoi atë të dhënë në mungesë para se të arrestohej, më pas caktoi edhe një masë tjetër “arrest me burg” për një tjetër pistoletë, që është gjetur në momentin e arrestimit të Stresit në ambientet e një hoteli në zonën e Linzës, në Tiranë.

Nga shqyrtimi rezultoi se përgjimet që janë përdorur si provë ndaj Stresit, kryheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për llogari të të ashtuquajturit grupi “Bajri”, ku Stresi, gjatë një komunikimi telefonik, është shprehur se “atë e hodha sapo pashë që erdhën të zinjtë”. Sipas Prokurorisë, këngëtari në këtë bisedë i referohet pistoletës që Policia gjeti në një lokal pranë gjimnazit “Partizani” në korrik të këtij viti, nga ku Stresi ishte larguar sapo kishte parë policët.

Ndërkohë, avokati i tij ka kundërshtuar të dyja rastet, duke pretenduar se Policia në asnjë rast nuk i ka gjetur pistoletë në trup klientit të tij. Madje, për arrestimin e fundit, avokati ka shfrytëzuar pamjet e publikuara nga Policia, jo vetëm duke i cilësuar të paligjshme, por edhe si provë në favor të klientit të tij.

“Mediat kanë transmetuar pamjet e arrestimit të klientit tim thuajse nudo. Atëherë, unë pyes se ku e ka pasur armën klienti im, pasi armëmbajtja pa leje nënkupton të ta gjejnë armën ty. Ai ishte lakuriq”, u shpreh avokati Marash Ibraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat