Mbrojtja e Shullazit mesazh të fortë zyrtarëve amerikanë

Shqipëria

Mbrojtja e Shullazit mesazh të fortë zyrtarëve amerikanë

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 19:24
Emiljano Shullazit

Pas dy episodeve shtyrje, mbrojtja e grupit të Emiljano Shullazit nisi ditën e djeshme të paraqesë konkluzionet përfundimtare në gjyq.

Kështu, nën masa të rrepta sigurie dhe në mungesë të të pandehurve, avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, lexoi konkluzionet për klientin e tij. Ai tha gjatë seancës që zgjati tri orë dhe që më pas u ndërpre për të vijuar javën që vjen, se procesi ndaj klientit të tij është paragjykuar dhe se Prokuroria ka bërë shkelje gjatë hetimeve. Këtë pretendim, sipas tij e mbështet edhe në një raport të PAMECA-s, i cili sipas Meçes, kritikoi hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi”.

Avokati Vladimir Meçe hodhi edhe akuza ndaj Prokurorisë për zëvendësimin e një procesverbali dëshmie për procesin. Sipas tyre, procesverbali i marrjes në pyetje i ish-truprojës së biznesmenit Ylvi Beqja, R.T., është zëvendësuar me procesverbalin e dëshmisë së Besnik Musait, një prej dëshmitarëve kyç në proces, që ka thënë se ka parë kërcënimet që Shullazi ka bërë ndaj Beqes.

Sipas avokatit të Shullazit, dëshmia e badigardit është ndërruar me atë të Besnik Musait, pasi e para nuk e implikonte Shullazin. Mbrojtja tha gjithashtu se edhe dëshmitë e Musait dhe Beqes për kërcënimet në Durrës kanë kontradikta mes tyre dhe se kjo është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes.

“Dëshmitari Besnik Musai nuk është i besueshëm dhe mënyra se si ai është marrë dëshmitar i mbrojtur, nuk është e drejtë. Prokuroria ka bërë zëvendësimin e procesverbaleve të marrjes në pyetje të Romeo Tares me atë të Besnik Musait. Duke e bërë kështu dëshminë e këtij të fundit një dëshmi patericë, por për ne është një patericë e thyer, pasi dëshmitë nuk përputhen”, tha avokati Vladimir Meçe.

Më tej, mbrojtësi ligjor i Shullazit pretendoi se, Prokuroria i ka bërë presion Ylvi Beqes që të dëshmonte kundër Emiljano Shullazit dhe e gjithë kjo, erdhi pas intervistave publike të tij, ku ai mbronte të pandehurin.

MESAZHI PËR SHBA

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët prej 5 seancash nuk i janë ndarë procesit. Avokati Vladimir Meçe dha edhe një mesazh për ta, duke thënë se është shkelur prezumimi i pafajësisë. Gjatë fjalës së mbajtur, Meçe përmendi një deklaratë të Presidentit të SHBAve, Donald Trump, i cili disa javë më parë është shprehur se “jetojmë në kohë të frikshme, ku je fajtor për diçka, deri në momentin që shpallesh i pafajshëm”.

Sipas avokatit, në bazë të ligjit, duhet të jesh i pafajshëm deri në momentin që shpallesh i fajshëm nga autoritetet. Duke kujtuar vëmendjen e madhe që ky proces ka pasur nga media, politika dhe diplomatët, avokati tha se është lënë të kuptohet se ata janë të fajshëm.

“Më kanë thënë se beteja ishte e humbur për këtë proces, ndërkohë që mediat, politika dhe diplomatët e kanë kryqëzuar Emiljano Shullazin. Por dua të sjell këtu fjalën e presidentit të SHBA-ve, për prezumimin e pafajësisë. ’Në këtë vend, jeni me të vërtetë fajtorë derisa të provohet e kundërta, kjo është një nga gjërat shumë të këqija që po ndodh këto kohë. Është një kohë shumë e frikshme për të rinjtë në Amerikë, kur konsideroheni fajtorë për diçka që nuk mund të jeni fajtorë’”, tha Meçe.

Përfaqësues të ambasadës amerikane ndjekin procesin

Prej tri javësh, përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë kanë ndjekur nga afër procesin gjyqësor të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij. Ky interesim nga afër për procesin ka ardhur menjëherë pas largimit të dy prokurorëve të çështjes, Ened Nakuçi dhe Elisabeta Imeraj dhe përplasjes që pati Donika Prela me 10 prokurorë, kur tentoi ta hedhë dosjen në short për të caktuar prokurorë të rinj. Më në fund, ngërçi u zgjidh dhe dosja tashmë ka katër prokurorë. Megjithatë, përfaqësuesit e ambasadës amerikane vazhdojnë të ndjekin nga afër procesin që nga ai moment. / PANORAMA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat