‘Ik pa merak’: Zbardhet biseda tjetër e Vangjush Dakos me Niçen

Shqipëria

‘Ik pa merak’: Zbardhet biseda tjetër e Vangjush Dakos me Niçen

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 09:21
Vangjush Dako

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka pasur komunikime të vazhdueshme me Altin Avdylaj (Niçja), një prej personave të arrestuar nga Policia e Shtetit gjatë operacionit “Vol-vo 4”.

Pas përgjimeve të publikuara një javë më parë ku kryebashkiaku i Durrësit rezulton të komunikonte para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 me Altin Avdylaj, emisioni “Të paekspozuarit” në News 24 ka publikuar përgjime të reja nga dosja 339/2016 ku sërish Dako dhe “Niçja” komunikojnë mes tyre.

Bëhet fjalë për një përgjim të datës 20 shkurt të vitit 2017, saktësisht biseda është zhvilluar në orën 17:26. Në përgjim sipas TPZ përfshihet kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, teksa komunikon me Altin Avdylin (Niçja), dhe i premton se do t’i zgjidhë diçka, prandaj nuk duhet të merakoset.

Biseda mes Dakos dhe Avdylit zhvillohet me tone mjaft të përzemërta. Në dy episodet e përgjimeve të publikuara një javë më parë, Dako është përgjuar para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Në një përgjim, dy ditë pas zgjedhjeve të qershorit, pra, më datën 27 qershor 2017, Vangjush Dako telefonon Altin Avdylin dhe kërkon të flasë me Astrit Avdylin, i konsideruar si kreu i grupit të Shijakut.

Ky i fundit nuk ndodhej, por Dako i thotë Altinit, të cilin e thërret me emrin “Niçe” se donte ta falënderonte Astritin. Duke qenë se biseda kryhet dy ditë pas zgjedhjeve, krijohen dyshime se bëhej fjalë pikërisht për to. Ndërkohë, në një bisedë tjetër telefonike, e zhvilluar më 24 qershor 2017, një person i telefonon Altin Avdylit dhe i thotë se ka një familje me gjashtë persona dhe përmend emrin e Vangjush Dakos.

Edhe në këtë bisedë, krijohet një dyshim se flitet për vota, por megjithatë nuk ka asnjë gjë zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në fund të bisedës, bashkëbiseduesi i thotë Altin Avdylit: “Thuaj Vangjushit t’i japim ndonjë lek që të votojnë”.

PËRGJIMI

0698967765: Hë Gjushi

069209930: Hë Niçe

0698967765: Hë vlla

069209930: Hë se jam duke folur me atë, mos e ki merak, çke ti, o nesër, këto ditë do ta mbaroj unë mos e ki merak

0698967765: E të lutem

069209930: Ik pa merak

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat