Grabitësi që u përlesh me policinë: Pse nuk hetohet edhe plagosja ime?

Shqipëria

Grabitësi që u përlesh me policinë: Pse nuk hetohet edhe plagosja ime?

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 14:06
Aldi Lleshaj

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën e radhës në ngarkim të Aldi Lleshajt, të riut që dy vite më parë, grabiti një makinë dhe plagosi një polic gjatë largimit. Ndërkohë që procesi gjyqësor, është në fazën e marrjes së provave të prokurorisë, dje u dëgjua dëshmitarja e fundit, e cila tregoi si ndodhi ngjarja. Gjatë aksionit për kapjen e të riut, është plagosur edhe ai vetë, por sipas mbrojtjes, nuk është bërë asnjë hetim në lidhje me këtë pjesë, duke e konsideruar si të padrejtë. Megjithatë, nuk është bërë asnjë kërkesë nga ana e avokatit për hetime në këtë drejtim, ndërsa kujtojmë se kanë kaluar dy vite nga ngjarja. Në seancën e zhvilluar dje, vetë Aldi Lleshaj nuk ishte i pranishëm, duke sjell një deklaratë që nuk donte të merrte pjesë, edhe pse Gjykata kishte urdhëruar shoqërimin e tij të detyrueshëm. Kjo për shkak se pritej që dje të merreshin deklarimet e tij. Ndërkohë, nëpërmjet avokatit, ai është shprehur se nuk do të jap deklarime në lidhje me ngjarjen, por prokurori kërkoi shtyrjen e seancës me qëllim që të bëhet shoqërimi i tij dhe të pyetet në seancë për vullnetin e tij në lidhje me deklarimet.

Dëshmia

Më herët gjatë këtij procesi kanë dëshmuar 11 persona të tjerë të cilët kanë qenë dëshmitarë okular të ngjarjes në fjalë, që dy vite më parë bëri bujë, kjo pasi u plagos një efektiv policie. Ndërkohë dje, dëshmoi shtetasja me inicialet J.J., punonjëse e një agjencie udhëtimesh në vendin ku ndodhi grabitja e mjetit, në Laç. Në sallë dëshmitarja dëshmoi shumë pak, pasi sipas saj, kanë kaluar shumë kohë dhe nuk e kujton mirë ngjarjen, shkruan shekulli. “Unë kam qenë punonjëse në një agjenci udhëtimesh, ndërsa ngjarjen e kam dëgjuar nga të tjerët. Mua më thanë se është vrarë një polic dhe se një person është përleshur me policinë, por të tjera nuk mbaj mend”, u shpreh shtetasja J.J. Ndërsa ka qenë prokurori i çështjes Behar Dibra, i cili lexoi deklarimet e dhëna dy vite më parë nga dëshmitarja, e cila tregonte se si kishte ndodhur grabitja e makinës dhe largimi i Lleshajt. “Rreth 4 metra larg ambienteve të agjencisë, një person i ri qëlloi në drejtim të policisë. Ai më pas është afruar te një mjet tip “Porche” dhe ka nxjerr pronarin e saj jashtë, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe mbante në dorë një armë. Pasi nxori pronarin, ai hipi vetë aty dhe kërkoi diçka brenda makinës dhe pak sekonda më vonë, u nis të largohej nga aty me shpejtësi. Unë mbaj mend se aty ka qëlluar vetëm një herë, ndërsa pistoletën nuk e ka hequr nga dora asnjëherë”, lexoi prokurori.

Ngjarja

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në 22 dhjetor të vitit 2016, kur Aldi Lleshaj tentoi të grabiste një automjet “Porsche”, në kryqëzimin e Arbërisë në aksin Laç-Lezhë dhe më pas qëlloi ndaj patrullës së policisë duke plagosur në kokë një efektiv. Kujtojmë se, u desh ndërhyrja e Forcave RENEA dhe FNSH që Aldi Lleshaj, të arrestohej rreth 1 orë pas ngjarjes, paraditen e së enjtes së 22 dhjetorit. Por, deri sa arriti ta kapte, policisë iu desh ta neutralizonte më parë, duke e plagosur në këmbë. Gjithashtu, gjatë aksionit të policisë, mbeti i plagosur edhe efektivi Nikolin Gjergji, por fatmirësisht nuk mori plagë të rënda, pasi plumbi mësohet se ka qenë rikoshet dhe nuk i ka shkaktuar dëmtime në kokë. Ndërkohë, në sallën e gjyqit, në seanca të tjera, Lleshaj, duket i penduar për veprimin që ka bërë dhe nuk e mohon atë. Gjatë dëshmisë së tij në polici, Aldi Lleshi ka pohuar se qëlloi në drejtim të makinave, me qëllim që t’i hapnin rrugën, por jo për t’i bërë dëme atyre.

E shkuara

23-vjeçari Aldi Lleshaj, autor i plagosjes së efektivit Nikolin Gjergji nuk ishte emër i panjohur për policinë. Ai ishte arrestuar nga uniformat blu më 9 tetor të vitit 2016, me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje, pasi kishte goditur me mjete të forta një 25-vjeçar duke i shkaktuar lëndime fizike si dhe kërcënuar për jetën. Por, ka qenë gjykata e Kurbinit  që e ka liruar 20-vjeçarin. “Ka qenë i skeduar nga policia, madje i arrestuar vetëm pak muaj më parë, një person i cili falë mungesës së një vlerësimi të drejtë nga sistemi i drejtësisë u kthye sërish në rrezik jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë ruajtësit e rendit”, deklaroi Haki Çako në atë kohë. Gjithashtu, i riu ka qenë edhe jashtë vendit, ndërsa në momentin e arrestimit, ka shfaqur paqëndrueshmëri, duke thënë fjalë të pakuptimta

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat