Çmimet stratosferike për përmbarimin! Dështon seanca për uljen e tarifave

Shqipëria

Çmimet stratosferike për përmbarimin! Dështon seanca për uljen e tarifave

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 17:40
Çmimet stratosferike për përmbarimin! Dështon seanca për uljen e tarifave

Ka dështuar seanca gjyqësore në Gjykatën Administrative të apelit ku do të shqyrtohej çështja e uljes së tarifave përmbarimore.

Gjyqi u shty pasi gjyqtari Kastriot Selita dha dorëheqjen nga dosja për shkak se kishte konflikt interesi me palët.

Ndërsa Ministria e Financave e cila është palë në këtë proces kërkoi dorëheqjen e anëtares tjetër të trupit gjykues, Akelina Gazidede, me të njëjtin argument se ajo ka konflikt interesi.

Tanimë kjo çështje pritet të zvarritet pasi dorëheqja e Kastriot Selitës do të shqyrtohet nga gjykata e lartë. Do të jetë ky institucion që do të vendosë nëse do t’i pranohet dorëheqja. Vetëm pas përfundimit të kësaj procedure do të mund të rifillojë procesi gjyqësor.

 Deri atëherë qytetarët dhe bankat do të vazhdojnë të paguajnë çmime stratosferike për përmbarimin.

Përplasja mes përmbaruesve, Ministrisë së Financave dhe asaj të drejtësisë nisi pas pezullimit të vendimit të Gushtit të këtij viti nga Gjykata Administrative e Apelit, vendim i cili ulte 2 deri në 4 herë tarifat përmbarimore për ekzekutimin e borxheve të këqija në banka.

Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se dy ministritë po punojnë, që tarifat përmbarimore të ulen edhe me 30% më shumë se ato që u vendosën në muajin Gusht. Shoqata e  Bankave, thotë se niveli aktual i tarifave, i cili është lënë në fuqi pas pezullimit të udhëzimit të dy ministrave Ahmetaj e Gjonaj nga gjykata, vendos çmime stratosferike për qytetarët dhe bankat.

Në rastin e tarifave që janë në fuqi, më i humbur del qytetari, të cilit i sekuestrohet dhe i shitet prona, pasi për një peng me vlerë mbi 500 milionë lekë, 20 milionë lekë të rinj i merr përmbaruesi, duke e lënë sërish qytetarin debitor pranë bankës. Çmimet e këtij tregu në çdo vend të Europës dhe rajonit nuk janë më të larta se 2 500 euro.

Vendimi për tarifat e përmbaruesve privatë i firmosur në muajin Gusht, uli me 60% çmimet për përmbaruesit që u vendosën në 2017-n. Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve e ankimoi çështjen në gjykatë, ku u vendos pezullimi i këtij vendimi deri në shqyrtimin në themel të çështjes. Aktualisht ekzekutimi i të gjitha pronave të lëna peng si kredi të këqija po bëhen me çmimet marramendëse të firmosura nga dy ministrat teknikë. Gjithashtu si mundësi për uljen e këtyre tarifave, qeveria po shqyrton si mundësi edhe liberalizimin e këtij shërbimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat