Edi Rama nuk mund të bëhet partner i Ilir Metës në shkeljen e Kushtetutës

Shqipëria

Edi Rama nuk mund të bëhet partner i Ilir Metës në shkeljen e Kushtetutës

Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 16:18
Edi Rama dhe Ilri Meta

Nga Ardit Rada/

Rama dhe Meta janë takuar për herë të parë pas vendimit të presidentit për të hedhur poshtë kandidaturën e Sandër Lleshit për ministër të brendshëm. Hapi i hedhur nga kryeministri shënon një gjest shtensionues, megjithëse tashmë kriza është publike dhe ajo ka një shkaktar kryesor: presidentin e Republikës. Garanti për zbatimin e Kushtetutës tashmë është bërë shkelësi flagrant i ligjit themelor të shtetit.

Tashmë jemi para faktit se Presidenti i Republikës ka refuzuar Sandër Lleshin si ministër i Punëve të Brendshme, jo mbi bazën e pastërtisë së figurës, por mbi gjykimin e cekët dhe difektoz të Kushtetutës. Ai ka shpikur një precedent të paqenë, që nuk figuron askund në ligjet dhe procedurat e zyrës së presidentit: hedhjen poshtë të një kandidature ministrore, të sjellë për dekretim nga qeveria.

Në bazë të Kushtetutës, as që bëhet fjalë që kreu i shtetit të mos dekretojë ministrat e propozuar nga kryeministri. Precedenti i krijuar artificialisht nga Ilir Meta mund të rrëzojë në parim nesër çdo emër që vjen për t’u dekretuar nga një president republike.  Sepse nëse pranohet standardi i Metës se ‘nuk ka krijuar bindjen e plotë’, nesër mund të kemi një precedent më të rrezikshëm. Atë të mosdekretimit as të kryeministrave të ardhshëm në mungesë të këtyre bindjeve.

Takimi i sotëm Rama – Meta për “rastin Lleshi” është i vonuar. Dy zyrtarët më të lartë të vendit që i kanë zyrat vetëm 300 metra larg njëri-tjetrit duhet të ishin ulur në tryezë prej kohësh, qoftë edhe në nivel përfaqësuesish, për të diskutuar rastin në fjalë. Ky moskomunikim i gjatë mes tyre, ka prodhuar krizën e sotme.

Megjithatë përgjegjësia e kryetarit të shtetit në këtë mes është e paevitueshme. Ai e ka pasur topin në fushën e tij pas marrjes së propozimit konkret nga Rama, por ka preferuar të djegë afatet kushtetuese, pa ngritur asnjë pretendim gjatë dhjetë ditëve kur ishte “duke u menduar”.

Në këto kushte, nëse shefi i mazhorancës zgjedh të çojë një emër të ri tek Ilir Meta, ai do të ishte shkelësi i dytë i Kushtetutës. Kriza e krijuar rreth emrit të Sandër Lleshit, duhet zgjidhur e përfshirë emrin në fjalë në formulat e mundshme të daljes nga impasi kushtetues. Përndryshe do të fitonte precedenti “Meta” me shkeljen e Kushtetutës që mund të kishte pasoja tejet të rrezikshme në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat