“Ajeti u vetëplagos pasi hoqi dorë nga vrasja e Lul Berishës”

Shqipëria

“Ajeti u vetëplagos pasi hoqi dorë nga vrasja e Lul Berishës”

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 13:58
Lulëzim Berisha

Pas katër seancash pamundësie për të njoftuar ish kreun e bandës së Durrësit Lulzim Berisha, për të marrë pjesë në cilësinë e viktimës në gjyqin ndaj të dënuarit për atentatin e dështuar ndaj tij në vitin 2005, Ahmet Ajetit, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka gjetur mundësinë të nisë shqyrtimin gjyqësor.

Ka qenë vetë Lulëzim Berisha, ai i cili është kujdesur këtë herë që në vend të tij, të paraqitet me një prokurorë të posaçme përfaqësimi avokati Detar Hysi. Kryetari i trupës gjykuese shpjegoi se këtë herë, familjarët e Berishës kishin marrë si angazhim që të njoftonin të afërmin e tyre.

Në nisje të seancës, avokati mbrojtës i Ahmet Ajetit, Sajmir Visha, ka kërkuar që gjykata të vendosë që në fillim nëse e pranon rishikimin e çështjes. Gjithashtu, ai dhe klienti i tij, Ahmet Ajeti kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, por që është rrëzuar nga gjykata.

Ahmet Ajeti po gjykohet për veprat penale “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Ai është gjykuar më parë dhe është dënuar në mungesë me 20 vjet heqje lirie, po për të njëjtat vepra penale, pasi akuzohet se në gusht të vitit 2005, ka tentuar të vrasë me armë zjarri Lulzim Berishën. I riu 35 vjeçar nga Lipjani i Kosovës u ekstradua drejt Shqipërisë në korrik të këtij viti.

“Klienti im është vetëplagosur, pasi hoqi dorë nga vrasja e Lulzim Berishës. Dua të them se në atë kohë, ka qenë vetë Policia që e ka marrë nga spitali dhe e ka depërtuar Ajetin. Nëse do të kishte pasur dyshime për akuzat që është dënuar, nuk duhet ta bënte,” tha avokati i Ajetit.

I heshtur dhe me pamje të qetë, i dënuari Ahmet Ajeti dje gjatë seancës vetëm ka konfirmuar kërkesat e avokatit, duke mos dhënë deklarime më gjatë. Ai kërkoi gjykim të shkurtuar, kështu në fund të shqyrtimit, mund të përfitonte edhe ulje të dënimit me 1/3, edhe pse avokati Vishaj tha se ata e mohonin akuzën. Ndërkohë, për Gjykatën e Krimeve të Rënda kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk është ligjore.

Vrasja e Lulzim Berishës ishte planifikuar të kryhej në qytetin e Durrësit më 30 maj 2005. Referuar dosjes hetimore, Ahmet Ajeti u pagua plot 80 mijë euro që të kryente vrasjen e Lul Berishës, bashkë me një person tjetër, por pas një sherri banal dhe një vetëplagosjeje, mbrëmjen e 30 gushtit 2005 bënë që atentati të dështonte.

Të dënuarit Endrit Dokle dhe Adriatik Coli, për realizimin e qëllimit të tyre kriminal, për vrasjen e Lulzim Berishës, pas konflikteve që kishin lindur midis anëtarëve, dikur të së njëjtës bandë, kanë kontaktuar dhe më pas kanë lidhur marrëveshje me dy shtetas kosovarë, me Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti.

“Rezulton se këta persona janë takuar në Tiranë dhe u janë treguar të dhëna për të gjykuarin Lulëzim Berisha dhe lëvizjet e tij dhe ata marrin përsipër që ta qëllojnë të gjykuarin Lulëzim Berisha me armë zjarri, të llojit pistoletë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Në momentin që Ajeti i është afruar Lulzim Berishës për të kryer atentatin, gjithçka ka shkuar jo sipas planit dhe ai është vetëplagosur në rrethana jo shumë të qarta. Kjo bëri që Lulzim Berisha të shpëtonte nga ai atentat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat