Shahu politik: Meta s’ndryshon qëndrim, kryeministri çon sërish emrin e Lleshit

Shqipëria

Shahu politik: Meta s’ndryshon qëndrim, kryeministri çon sërish emrin e Lleshit

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 13:43
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta foli për herë të parë me zërin e tij për propozimim për herë të dytë të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.

Ai la të kuptohet se nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Sa i takon anës ligjore, pa dashur të jap leksione për kushtetutën, por të gjithë amatorëve, diletantëve, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë kushtetutën, kompetencat e presidentit. Akt formal dhe ceremonial është vetëm betimi te presidenti. Të gjithë atyre që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal, dhe se presidenti ka për detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite, që presidenti mund të kthejë prapa një propozim, kam një pyetje tjetër: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër? Pasi edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutë. Kështu që më lini të bëj detyrën time, me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë. Unë jam i lidhur me parlamentin dhe jam i zgjedhur nga parlamenti kështu që ai është gjithçka”, tha Meta.

Pavarësisht këtij qëndrimi, kryeministri njoftoi në Twitter se ka firmosur për herë të dytë emrin e Lleshit në krye të dikasterit të rendit.

“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, shkruan kryeministri.

Palët bënë lëvizjen e radhës në shahun politik.

Një afat i ri 7 ditor hapet për presidentin, edhe pse ky i fundit la të kuptohet se nuk ka lëvizur nga bindja e tij për Sander Lleshin, raporton gazetarja e Top Channel, Elda Menga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat