Bonus qiraje për banorët e prekur nga projekti i Unazës së Madhe

Shqipëria

Bonus qiraje për banorët e prekur nga projekti i Unazës së Madhe

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 23:01
Damian Gjiknuri

Banorët të cilët do të preken nga projekti i Unazës së Madhe do t’u paguhet qiraja për disa vite nga ana e qeverisë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i ftuar në emisionin “Open”, u shpreh se banorët të cilët posedojnë një certifikatë pronësie dhe legalizimi do të shpronësohen, ndërsa për ata të cilët nuk disponojnë dokumente të tilla, qeveria do t’u paguaj qiranë, e cila sipas ministrit mund të shkojë në 3 vite.

“Kemi të bëjmë me një projekt që është miratuar që nga koha e Adil Çarçanit në vitin 1989, dhe të gjithë e kanë ditur që unaza do të kalonte një ditë. Ka arsye, sepse një pjesë e banesave nuk janë legalizuar, ku ka qenë e parashikuar se objektet që do të përshkrueshin nga vepra të mëdha publike nuk do të legalizoheshin. Objekti është me mjaft rëndësi për të gjithë, pasi është aorta e Shqipërisë dhe po nuk zgjidhe këtë do të jetë një problem i madh. Projekti ka qenë publik dhe kanë nisur konsultimet si dhe evidentimi i objekteve. Janë 464 objekte të prishura ndër vite nga PD. “Ndryshe nga PD ne kemi menduar një zgjidhje për personat që nuk shpronësohen. Ne kemi menduar që për të gjithë banorët që do u preken banesat, do të trajtohen me bonuse për qiranë për disa vite. Ne do ta çojmë deri në 3 vjet. Ne do t’i japin 3 vjet qira këtyre banorëve, të cilët më pas do të trajtohen si të pastrehë dhe do të marrin kredi të buta për banesa. Ky projekt është i rëndësishëm dhe ne nuk do të lëmë asnjë banor në rrugë”, – u shpreh Gjiknuri.

Ministri vijoi edhe më tej duke u shprehur se për banorët të cilët nuk do të përfitojnë nga kompensimi, përveç qirasë e cila do të jetë disavjeçare, qeveria do t’i përfshijë ata edhe në skemat e kredive të buta.

“Në krye të 3 viteve do të trajtohen me kredi të buta dhe këta njerëz do të bëhen me shtëpi banimi. Të gjithë këta që bëjnë zhurmë, lë të gjejën një rast ku banorët janë trajtuar me bonusin e qirasë. Çmimi i kompensimit për ata njerëz që kanë dokumente ata shpronësohen me vlerën që ka përcaktuar Këshilli i Ministrave sipas legjislacionit në fuqi”, – theksoi Ministri.

Sipas ministrit, banorët të cilët janë të prekur nga projekti dhe që nuk do të kompensohet për shkak të mungesës së dokumentacionit, do të vendosen të parët në listën e përfituesve të kredive të buta dhe qirave, të cilat shpërndahen nga bashkia e Tiranës. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat