“Bularati”, Shqipëria reagoi si një shtet demokratik

Shqipëria

“Bularati”, Shqipëria reagoi si një shtet demokratik

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 23:42
Foto ilustrim

“Sa i takon ngjarjes në Bularat, Shqipëria reagoi si një shtet demokratik”.

Kështu deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive, duke folur për zhvillimet që ndodhën në Bularat gjatë ceremonisë së varrimit të Kostantinos Kaçifas.

“Imagjinoni sot, sikur ne të kishim çuar qoftë edhe për prezencë policinë në fshat. Aty kishte gazetarë dhe ata u fyen dhe u provokuan. Çfarë do të ishte bërë atje nëse do të kishte polici? Ajo që ndodhi në Bularat, mund të kishte ndodhur në Gjermani, në Francë,  në Danimarkë, në Itali ashtu si ndodhi aty, por nuk ndodhte dot në disa vende rreth e rrotull nesh”, – tha Rama.

Në vendet demokratike prevalon e drejta e tjetrit për të manifestuar, tha Kryeministri duke shtuar se “në asnjë vend të botës normale nuk ndërhyhet për të ndërprerë atë shfaqje dhe ajo shfaqje nuk parandalohet dot, nëse nuk do të bësh më keq se aq”.

“Ishte një dërgatë që shihej nga gjithë Greqia, nga gjithë politika atje, nga një situatë në Greqi që është një situatë shumë e nxehtë. Ne bëmë atë që na takon për traditë, për zakon dhe me mendje në kokë. Doni ta turpëroni vendin dhe flamurin e vendin tuaj? Doni të dhunoni dhe përdhosni të vdekurin tuaj, që i thoni edhe hero? Bëjeni”, – tha Rama.

Por kur mbaroi “shfaqja”, Kryeministri u shpreh se u shpallën “non-grata” 52 shtetas grekë dhe 1 eurodeputete qipriote, ndërsa po analizohen edhe të tjerë që mund të shpallen “non grata”.

“Ky nuk ishte problemi ynë, por ishte problem i fqinjëve. Unë reagova në mënyrën më normale, sepse mendova se sa jetë të pafajshme mund të ishin humbur dhe mund të ishin shqiptarë apo grekë. Ne u treguam shumë korrektë në raport me zakonin dhe ligjet tona dhe u sollëm si çdo shtet demokratik”, – tha Rama. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat