Meta: Të mos cenohet liria e medias

Shqipëria

Meta: Të mos cenohet liria e medias

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 21:12
Forumi ndërkombëtari i medias "South East Europe Media Forum"

Forumi ndërkombëtari i medias "South East Europe Media Forum", ka mbledhur në një vend gazetarët, ekspertët e medias dhe politikanët, e të cilët kanë potencuar rëndësinë që ka liria e medias në një shoqëri.

I pranishëm në hapje të kësaj konference ishte edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili ka thënë se liria e medias duhet të mos cenohet. Ndërkohë që ka shtuar se gazetarët duhet të ikin nga lajmet e rreme dhe nga keqinformimi.

Meta: Gjuha e presionit dhe denigrimit

"Gjuha e presionit, denigrimit, frikësimit deri tek urrejtja ndaj gazetarisë si profesion, gazetarit si individ apo edhe vet komunitetit të medias në tërësi përbën një kërcënim serioz për të gjithë shoqërinë dhe rendin demokratik. Situata bëhet veçanërisht shqetësuese, kur janë drejtuesit politik në nivel qendror apo lokal, ata që artikulojnë dhe shigjetojnë këto sulme verbale apo fizike ndaj gazetarëve, duke i ekspozuar njëkohësisht edhe karshi kriminelëve, trafikantëve apo edhe vendeve terroriste", tha ai.

Presidenti Meta tha se është tejet e rëndësishme zbatimi i kuadrit ligjor që garanton të drejta, siguri dhe kushte të punës për gazetarët. Sipas tij, kur mjedisi kërcënues jashtë shoqërohet me kushte të pasigurta në vendin e punës cenohet edhe cilësia e gazetarisë, duke quar në cenzurë apo autocenzurë.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Medias e Evropës Juglindore SEEMO, Oliver Vujoviç, ka treguar se çka do të përmbajë konferenca dy ditore që në qendër ka median.

Vujoviç: Do të flasim për mediat

"Do të flasim për mediat, për problemet e mediave, problemet e gazetarëve. Kemi shumë për të folur për të punuar”, tha ai.

Kurse, drejtori i zyrës në Shqipëri i fondacionit Konrad-Adenauer-Stiftung, Walter Glos, këtë forum e ka quajtur shumë të rëndësishëm dhe se po ndodh në një kohë të rëndësishme në të cilën gjendet Shqipëria.

Glos: Është një moment shumë i rëndësishëm

"Besoj se është një moment shumë i rëndësishëm që të zhvillohet një aktivitet i tillë këtu në Shqipëri. Shumë prej jush e dini se Shqipëria ndodhet aktualisht në rrugën e integrimit evropian dhe pret që në qershorin e vitit të ardhshëm të çelen negociatat për anëtarësim në BE. Shqipëria në këtë rrugë është duke u përpjekur shumë për të zbatuar reformat, pjesërisht shumë të vështira në sektor të ndryshëm. Vështirësi paraqesin problemet e ndryshme në pushtetin legjislativ, ezekutiv, gjithashtu shtohet edhe më tej shqetësimi për pushtetin gjyqësor", tha ai.

Ndërkaq, drejtori i rajonit dhe vendeve fqinje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ilir Melo, tha se mbajtja e këtij forumi për herë të dytë në Shqipëri dëshmon se ky vend është i vendosur për të kontribuar në lirinë e fjalës dje gazetarisë cilësore.

Melo: Nisma e Evropës qendrore është e orientuar drejt programeve

"Nisma e Evropës qendrore është e orientuar drejt programeve dhe projekteve të drejtpërdrejta me një impakt të menjëhershëm në shoqëri. Në kuadër të nismës së Evropës qendrore janë dy dimensione të rëndësishme, është promovimi i medias pluraliste, pavarësisë së saj dhe transparencës. Në anën tjetër si dimension i dytë është forcimi i gazetarisë cilësore", tha ai.

Forumi i medias "SEEMF" do të vazhdojë edhe ditën e nesërme ku do të trajtohen tema si ndikimi i propagandës në biznesin e medias, çfarë të bëhet për të patur raportim te pavarur dhe se si të luftohet korrupsioni në kompanitë e mediave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat