Sot mbaron afati për dekretimin e Lleshit, Hipokrizia e Ilir Metës: Ka kohë

Shqipëria

Sot mbaron afati për dekretimin e Lleshit, Hipokrizia e Ilir Metës: Ka kohë

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 12:06
Sandër Lleshi

Sot është afati i fundit ligjor që Presidenti Ilir Meta ka në dispozicion për të dhënë verdiktin e tij në lidhje me propozimin për herë të dytë të kandidaturës së Sandër Lleshit në krye të Ministrisë së Brendshme.

Me përfundimin e fjalës së tij në parlament, ku u mbajt një ceremoni për Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, gazetarët i kanë kërkuar një koment Kreut të Shtetit, nëse e ka marrë tashmë verdiktin për të dekretuar apo jo Lleshin.

Përgjigja e Metës ka qenë e shkurtër.

“Kemi kohë deri në darkë kur të komunikoj me gazetarin Arjan Çani. Tani po shkoj në zyrë”,-tha Presidenti.

Presidenti Ilir Meta e ka refuzuar një herë firmosjen e dekretit për kandidaturën e Lleshit, një akt që nuk ka patur precedentë të mëparshëm dhe që çoi në një kurs përplasje Presidentin em kryeministrin Rama.

Ky i fundit e akuzoi Metën se kishte shkelur kushtetutën, por siç rezultoi më vonë, e vërteta qëndronte ndryshe, pasi Sandër Lleshi ishte ende një ushtarak aktiv, një post që sipas Kushtetutës së vendit nuk e lejon personin që e mban të kandidojë për Ministër.

Me tejkalimin e afateve ligjore, Kryeministri Rama takoi Presidentin dhe vendosi ta risjellë për herë të dytë kandidaturën e Sandër Lleshit, përfshi këtu dhe një akt tjetër për heqjen e petkut të ushtarakut të Lleshit, një dekret i cili po ashtu u soll në tryezën e Kreut të Shtetit. Tashmë mbetet për t’u parë sesi do të veprojë Presidenti i Shqipërisë, ndërsa afati fundor mbetet mbrëmja e kësaj të premteje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat