Çlirimi i Tiranës/Komunistët: Kujdes, kush nuk vlerëson partizanët

Shqipëria

Çlirimi i Tiranës/Komunistët: Kujdes, kush nuk vlerëson partizanët

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 22:30
Kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa

Kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa, shprehet se çlirimi i Tiranës është meritë e partizanëve dhe e askujt tjetër. Sipas tij, kush kërkon të sajojë një të vërtetë tjetër është bir i reaksionit.

“Kryeqytetin e atdheut, Tiranën, e çliruan partizanët heroikë shqiptarë, mbështetur fuqishëm nga populli i saj. Kush kërkon të sajojë një tjetër të vërtetë është bir i reaksionit! Ngjan si paradoks po edhe vetë pushtuesit gjermanë pranojnë çfarë përjetuan në luftën e ushtrisë partizane për çlirimin e Tiranës, me disa mospërputhje në shifrat e humbjeve të forcave njerëzore e materiale, gjë kjo e kuptueshme, sepse cilido humbës synon t’i zvogëlojë humbjet e tij.

Brezi i ri duhet të dijë se për çlirimin e kryeqytetit është bërë 19 ditë luftë e ashpër (29 tetor deri 17 nëntor 1944) rrugë më rrugë e rrugicë më rrugicë, barrikadë më barrikadë, shtëpi më shtëpi e trup më trup! Një luftë heroike e vërtetë! Forcat pushtuese gjermane e patën të pamundur të përballonin sulmet e ushtrisë së organizuar partizane, ndaj ato, në mëngjesin e 17 nëntorit 1944, ndalën qëndresën, njohën humbjen dhe morën rrugën e humbjes.

Humbjet e ushtrisë gjermane qenë të mëdha, po dhe forcat partizane patën jo pak të vrarë e të plagosur! Heroizmi i partizanëve për çlirimin e Tiranës, në zbatim të urdhrit të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, Enver Hoxhës, përbën një nga faqet më të ndritura të LANÇ-it”, shkruan Xhafa. (Panorama)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat