Koalicion me LSI në zgjedhje? Zyrtari i PD: Mundësitë janë…

Shqipëria

Koalicion me LSI në zgjedhje? Zyrtari i PD: Mundësitë janë…

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 16:44
Arben Ristani

Partia Demokratike ka vijuar me intensitet të plotë takimet elektorale në kuadër të zgjedhjeve vendore të vitit 2019. 

Ndezja e motorëve elektoralë dhe fillimi i takimeve intensive me strukturat e Partisë në rrethe pritet që të shoqërohet edhe me një vendimmarrje nga PD-së, nëse kjo forcë politike do të futet në koalicion në zgjedhje apo si forcë e vetme.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, në një intervistë për median, deklaroi pak ditë më parë se mundësitë për arritjen e një koalicioni parazgjedhor me frontin opozitar është i mundur, por për të pasur një vendimmarrje duhet që të bëhet votimi nga strukturat drejtuese të partisë.

“Mundësitë janë, bisedat janë në zhvillim e sipër, por vendimmarrje nga strukturat e larta drejtuese të partisë nuk ka”, është shprehur Ristani.

DEBATI

Në zgjedhjet e fundit vendore të zhvilluara në vend, koalicioni ka qenë faktor vendimtar në përcaktimin e fituesit në zgjedhje. Partitë për të pasur një maksimizim të votave kanë zgjedhur që të bëjnë marrëveshje parazgjedhore dhe duke dalë në zgjedhje me kandidatë të përbashkët. Kjo formulë ka rezultuar e suksesshme në zgjedhjet vendore, si ajo e 2011-s kur aleanca PD-LSI bëri që Basha të zgjidhej kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku mundi në atë kohë kreun e PS-së Edi Rama, i cili kishte tre mandate në krye të bashkisë, ashtu edhe në vitin 2015, kur Erion Veliaj arriti të fitonte bindshëm ndaj kandidatit të PD-së Halim Kosova.

Por si marrëveshje politike, të gjitha palët kërkojnë pjesën e saj. PD-së, si forca kryesore e opozitës, i takon “pjesa e luanit”, por edhe LSI pritet që t’i kërkojë Bashës mbështetjen për disa bashki. Në zgjedhjet e 2015-s, LSI kandidoi në 10 bashki me kandidatët e saj, duke arritur të fitonte 5 dhe pritet që mos ta ulë kërkesën e saj për të pasur sërish një numër dyshifror të kandidatëve të saj për zgjedhjet e 30 qershorit.

E njëjta çështje është edhe me partitë e tjera të opozitës, si PDIU, e cila garoi për 3 bashki në 2015-n dhe i fitoi të tria, apo edhe PDK e Nard Ndokës, e cila në 2015- n u largua nga aleanca me PD-në, duke kaluar me PS vetëm për marrëveshjen e zgjedhjeve vendore. Kësisoj, diskutimi për numrin e bashkive pritet që të jetë edhe debati më i ethshëm në strukturat drejtuese të PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat