Tensionohet situtata në Tiranë, protestuesit përplasen me forcat speciale të policisë

Shqipëria

Tensionohet situtata në Tiranë, protestuesit përplasen me forcat speciale të policisë

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 17:51
Pamje nga vendi i ngjarjes

Momente tensioni janë regjistruar këtë pasdite në ditën e 16 të protestës së banorëve të zonës së “Astirit” në Tiranë, shtëpitë e të cilëve do të prishen për t’i hapur rrugë projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe të kryeqytetit.

Një sërë protestuesish janë përplasur me policinë teksa kjo e fundit është stacionuar në rresht për të mbrojtur një zonë e cila do të shërbejë dhe si kantieri i parë i ndërtimit në zonë. Kanë qenë një sërë forcash të ndërhyrjes së shpejtë ata që janë përplasur me një valë të qytetarëve. Momenti i tensionit ka ardhur për shkak se disa prej qytetarëve janë shoqëruar nga policia e shtetit, një pretendim që mbetet ende për t’u verifikuar.

Protestuesit kanë nisur të çajnë një rrethim të vendosur në zonë për nisjen e një kantieri ndërtimit.

Në vendngjarje kanë qenë dhe një sërë deputetësh të opozitës të cilët kanë komunikuar dhe me drejtuesit e policisë, të cilët ndodheshin në vendngjarje. Pas disa momentesh tensioni situata është qetësuar dhe protestuesit janë tërhequr momentalisht.

Banorët e zonës së Astirit në Tiranë kanë dalë këtë mbrëmje sërish në protestë për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga prishja, akt i cili do t’i hapë rrugën ndërtimit të projektit të ri të Unazës së Madhe.

Protestuesit kanë bërë thirrje kundër kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Veliaj duke përdorur edhe terma ofendues si “O Erion o legen, prite popullin se po vjen”.

Të tjera thirrje të protestuesve kanë qenë kundër kryeministrit “Edi Rama o legen, shtëpitë tona nuk i shemb”.

Deputetë dhe eksponentë të Partisë Demokratike gjithashtu ndodhen në protestën e banorëve që prej 16 ditësh tubojnë çdo ditë kundër prishjes së banesave të tyre. Disa prej eksponentëve të PD kanë hedhur dhe fishekzjarrë e kapsolla gjatë protestës.
Banorët kërkojnë nga qeveria dhe bashkia që shtëpitë e tyre të dëmshpërblehen në 100% të vlerës. Nga ana e saj qeveria dhe bashkia kanë folur dhe premtuar për dëmshpërblim të atyre banorëve që posedojnë shtëpi të legalizuara, ndërsa ata “pa letra” do t’u jepet një shtëpi me qera për një afat kohor 3 vjeçar.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat