PD dhe PS rrëfehen tek Komisioni i Venecias për vetingun politik

Shqipëria

PD dhe PS rrëfehen tek Komisioni i Venecias për vetingun politik

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 13:11
Pamje nga takimi

Një delegacion me gjashtë anëtarë i Komisionit të Venecias ka mbërritur ditën e djeshme në kryeqytetin shqiptar për t’u njohur me propozimet e opozitës për vetingun në politikë. Delegacioni i cili përbëhej nga; Veronika Bilkova, Artemiza-Tatiana Chisca, James Hamilton, Jorgen Steen Sorensen dhe Hanna Suchocka, kanë zhvilluar një sërë takimesh, sipas një axhendë të planifikuar paraprakisht me përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës. Takimet nisën me Vasilika Hysin, më pas me kryetarët e grupeve parlamentare. Delegacioni ka vijuar takimet me Presidentin, ministren e Drejtësisë dhe ambasadorin e BE. Ndërsa sot do të ketë takime me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e ILDKPKI, Ganaj dhe kreun e EURALIUS, Agnes Bernhard.

Përfaqësuesit

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja pak pas takimit me përfaqësues të Komisionit të Venecias, ka dhënë detaje rreth diskutimeve në tryezë sa i takon propozimi të opozitës për vetingun në politikë. Në një deklaratë për gazetarët jashtë Kryesisë së Kuvendit Manja tha se takimi, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të opozitës, ishte i frytshëm. Po ashtu socialisti tha se opozita është inkoherente, ndërsa shtoi se ‘Venecia’ ngelet tabani i demokracisë. “Një përfaqësi e grupit parlamentar të PS dje, paradite pati një takim me delegacionin e Venecias për nismën e opozitës për vetingun e politikës. Në këndvështrimin tonë takimi ishte frytshëm. Ishte takim informues, sqarues me pyetje-përgjigje nga të dyja palët. Ne shpresojmë dhe besojmë në kompetencën e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese. Shpjegimet dhe mendimet tona do t’ua dorëzojmë. Ne e mirëpresim opinionin e Venecias, si tabani i demokracisë. Ne vazhdimisht jemi konsultuar dhe kemi marrë opinionin e Venecias. Ndërsa pak më parë pash që pati reagim nga opozita. Ata u shprehën se takimi me komisionin e Venecias ka qenë frytdhënës. Në fakt më bëri çudi se nuk di kujt t’i besoj, asaj që tha Spaho sot, apo asaj që tha dje Basha nga Berati; ‘Nuk e di se pse vjen Venecia’. Opozita vazhdon të jetë inkoherente sa herë që bëhet fjalë për Komisionin e Venecias. Ne vazhdojmë të besojmë se Venecia ngelet tabani i demokracisë”, tha Manja.

Opozita

Pas mbledhjes që zgjati një orë në Kryesinë e Kuvendit, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias kanë zhvilluar një takim me kryetarin e grupit të PD, Edmond Spaho. Ai shoqërohej nga deputetët e tjerë Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj dhe eksperti ligjor Gazmend Bardhi. Spaho, pas takimit tha se PD kërkon nga Komisioni i Venecias që të ndjekë të njëjtin standard që është vendosur për prokurorët dhe gjyqtarët. “Nuk duhet të ketë dy standarde, por ai që zbatohet për prokurorët dhe gjyqtarët të aplikohet edhe për politikanët kur flasim për lidhje me botën e krimit të organizuar. Ne shpjeguam që asnjë reformë nuk do të ketë sukses nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin”.

Eksperti ligjor i PD

Këshilltari ligjor pranë PD, Gazmend Bardhi ka treguar takimin me ekspertët e Venecias lidhur me iniciativën e PD për vetingun në politikë. Ai u shpreh se ekspertët e Venecias kanë kërkuar sqarime për iniciativën e ndërmarrë nga PD përpara se të japin opinionin e tyre. “Takimet me ekspertët e Venecias kanë një procedurë përpara se të miratojnë një opinion. Opozita pret që në fund të miratohet opinioni për amendamentet kushtuese për vetingun e politikanëve. Ekspertët e Venecias janë takuar edhe me deputetët e PD dhe kanë kërkuar sqarime për iniciativën si dhe kemi shkëmbyer opinione dhe mendime. Ekspertët nuk shprehin qëndrime për iniciativën, por amendamenti kushtetues i depozituar nga PD për këtë iniciativë është një standard. Është e qartë se kjo është një masë e jashtëzakonshme që i përshtatet një situate të jashtëzakonshme në Shqipëri. Disa politikanë kanë rënë në rrjetën e përgjimeve. Për të çliruar vendin nga krimi është propozuar amendamenti kushtetutës për të cilin do e japë opinionin Venecia. Ky është një standard që mund të aplikohet edhe për politikanët, njësoj si për gjyqtarët dhe prokurorët. Nuk besojmë se këtë trajtim preferencial do të mund ta legjitimojnë ekspertët e Venecias, të cilët kanë dhënë aprovimin edhe për vetingun në drejtësi. Standardet që politikanët kanë përcaktuar për gjyqtarët dhe prokurorët duhet t’i zbatojnë vetë në radhë të parë. Duhet të marrë fund trajtimi preferencial. Vetingu është proces administrativ, pasi në burg shkon, nëse ke kryer vepër penale. Trafikantët e ndihmuar nga politikanë të caktuar kanë përfituar para publike”- tha Bardhi.

Basha: Delegacioni i Venecias është munduar kot që të vijë në Tiranë

Ndërkohë kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë një takimi dy ditë më parë me banorët e Beratit është shprehur, se vetingu për politikanët është vijë e kuqe për opozitën, por pritshmëritë nuk i kishte aspak të larta nga vizita e delegacionit, ndërsa i paralajmëroi se “janë munduar kot që kanë ardhur”. “Jo trajtim preferencial për politikanët, kërkojmë standardin që Venecia miratoi për prokurorët dhe gjyqtarët. Kjo është vijë e kuqe për opozitën. Nesër (sot) vjen një delegacion i Komisionit të Venecias, personalisht dua t’u them se janë munduar kot që kanë ardhur. Ne s’kërkojmë asgjë më shumë sesa standardi që ata miratuan për gjyqtarët dhe prokurorët, shkruan shekulli. Që politikanët e lidhur me krimin të humbasin mandatet. Nuk po kërkojmë të marrim drejtësinë në duart tona. Nuk jemi ne, as prokurorët, as gjyqtarët. Një drejtësi e pastruar nga krimi dhe korrupsioni le të vendosë fatin e tyre, nëse kanë shkelur ligjin, le t’i çojnë ata në burg, por në institucione nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë, s’mund të ketë standarde të dyfishta e të trefishta. I njëjti standard që Venecia rekomandoi për gjyqtarët dhe prokurorët, i njëjti standard që kjo qeverie  bëri ligj për policët dhe gardistët. Ne do e kishim votuar po të kishin pranuar amendamentin tonë që vetingu i policisë të niste nga Ministri i Brendshëm, por që këta nuk e deshën, i njëjti standard duhet të vlejë edhe për politikanët”, është shprehur Basha.  Në datë 7 shtator Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një draft me propozimet për Vettingun në Politikë, por në asnjërën nga pikat nuk përmend vettingun për familjarët e politikanëve. Kryeministri Edi Rama u shpreh se propozimi do të dërgohet në Komisionin e Venecias për rekomandim pasi dublon reformën në drejtësi, por nëse do të bëhet, shtoi ai, duhet të përfshijë edhe familjarët e politikanëve. Pak javë më parë ishte kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi që përmes një letre i kërkoi komisionit mendimin përmes 8 pyetjeve.

Basha në Berat me fermerët: Të ndryshojmë qeverinë

Basha iu bëri dje thirrje fermerëve të Poshnjës që të mbështesin ndryshimin e qeverisë. “Pa ndryshuar gjendja politike, pa pasur një qeveri që e ka të lidhur fatin me ju dhe jo me banditët dhe kriminelët, mos prisni të ketë ndryshim as në tavolinën tuaj, as në xhepat tuaj, as në serat tuaja, as në arat tuaja. Një shprehje kam dëgjuar këto 3-4 javë që kam lëvizur: Na ka shkuar në palcë! Nuk ka pse të na shkojë në palcë. Ne jemi shumica, ju jeni shumica. Ejani ta marrim fatin tonë në duart tona!”- tha kreu i PD-së . Fermerët e Poshnjës së Beratit i shprehën këtë të hënë kreut të Partisë Demokratike shqetësimet e tyre në lidhje me mungesën e subvencioneve, çmimin e lartë të naftës dhe mungesën e infrastrukturës. Gjatë bashkëbisedimit, kreu i opozitës iu shpreh se fajtori i gjendjes aktuale është Rama dhe qeveria e tij, që punon për një grusht klientësh të cilët pasurohen nga taksat e tyre dhe të shqiptarëve.

“Me 2.2 miliardë euro, ne mund të arrinim fare lehtësisht të shpërndanim 150 milionë euro në vit për fermerët. Me 2.2 miliardë euro ne mund të arrinim të rrisnim pensionet 30 përqind për gjithë shqiptarët.  Në vend që ndodhin këto dhe të ju prekin dhe të shpërndahet leku tek të gjithë shqiptarët, 10 veta marrin 2.2 miliardë euro dhe pjesa tjetër e popullit mbetet me gisht në gojë”, u shpreh Basha, duke shtuar se Partia Demokratike me programin e saj do të ofrojë ndryshim pozitiv. “Nuk ka asnjë vend të Europës që bujqësia të funksionojë pa subvencione, as në Ballkan. Ne s’themi se premtojmë mrekullira, por të paktën subvencione sa jep Kosova dhe Maqedonia do të japim. 150 milionë euro në vit janë të domosdoshme që të paktën të ulin kostot e mekanikës apo në rastin tuaj të plastmasit të serave, të pesticideve, të imputeve, fidanëve etj”, tha Basha.

Çmimi i rritur i naftës ishte një nga problemet kryesore të fermerëve, por kreu i opozitës i propozoi atyre një zgjidhje.

“Absolutisht për të gjithë vendin, hapi i parë do të jetë heqja e taksës Rama mbi naftën. Në momentin e parë që do të aplikojmë këtë masë, nafta do të jetë minimalisht 300 lekë më e lirë dhe pastaj do të ecim me hapa të tjerë me naftën bujqësore. Por, hapi i parë për të gjithë ekonominë do të jetë ulja e çmimit të naftës me 300 lekë,” u shpreh Basha

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat