Fjalimi i Ramës: ‘Largohuni, mos na dilni para’

Shqipëria

Fjalimi i Ramës: ‘Largohuni, mos na dilni para’

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 11:37
Protesta nga banorët e Astirit

Kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar një fjalim të fortë të enjten dhe ashtu ishte. Ai iu përgjigj ashpër banorëve të Unazës së Re, që po protestojnë prej 19 ditësh. Në nisje të fjalimit, ai tregoi se fatura që kërkojnë banorët shkon në rreth 30 milionë dollarë, aq sa është fondi për rritje pagash.

“Në vend që t’iu jepen dëmshpërblime zaptuesve profesionistë, pikërisht këto 30 milionë dollarë, buxheti i shtetit ka parashikuar t’i çojë në rritje pagash për punonjës të shëndetësisë, arsimit apo për rritje pensionesh. Taksat e njerëzve të ndershëm nuk mund të shkojnë për zaptuesit që kanë nga tri palë shtëpi, e që kërkojnë dëmshpërblim 100% në dorë për godinën e tetë,” tha Rama.

Më pas, Rama i përmendi me emra personat që kanë më shumë se një banesë në Tiranë, por që duan dëmshpërblim të plotë tek Unaza e Re.

“Po ku t’i gjejmë ne paratë për të dëmshpërblyer Gjovalinin nga Laçi që ka zaptuar dhe ka ndërtuar në tokë të përbashkët? Ramazanin, i cili ka deklaruar dhe 4 ndërtesa të tjera pa leje në Tiranë, por kërkon që të dëmshpërblehet… Jo vetëm që ka zënë shtratin e Unazës, por mbron sloganin “shtëpia mbrohet me jetë”… ahh more Ramazan…

Agroni nga Elbasani që e filloi me një eksperiment, shtesë anësore ne Elbasan, dhe pastaj zbriti në Tiranë, dhe ka ndërtuar dy banesa pa leje dhe më pas edhe një te Unaza, dhe sot është bashkuar dorë për dore me Ramazinin dhe thotë se do japin jetën për shtëpinë”, u shpreh Rama.

“Kush ka titull pronësie do dëmshpërblehet sipas ligjit dhe do largohet, kush ka vetëm një strehim, 3 vjet bonuse qiraje, kush ka ngrehina të kategorisë të Bashkimit, Kujtimit, Agronit, Ramazanit, të largohet sa më shpejt që aty, mos të na dalë përpara”, tha Rama.

Fjala e tij acaroi ndjeshëm protestuesit para Kuvendit, që tentuan dy herë të futen brenda sallës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat