Dy protestuese në spital: U goditëm me shkop gome, nuk hodhëm shashka

Shqipëria

Dy protestuese në spital: U goditëm me shkop gome, nuk hodhëm shashka

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 12:16
Protesta nga banorët e Astirit

Dy prej banoreve të zonës së Astirit ndodhen në Spitalin e Traumës në kryeqytet, për shkak se kanë mbetur të lënduara në protestë. Sipas një tjetër banoreje, Marsela Lekli shashkat që janë hedhur nuk kanë qenë të tyret, por të personave që kanë qenë të infiltruar në protestë dhe synonin provokimin e tyre. Lekli tha për Fax News se njëra prej banoreve ka dëmtuar rëndë shtyllën kurrizore pas goditjes që ka marrë me shkop gome nga ana e policisë.

“Njëra prej zonjave ka dëmtuar rëndë shtyllën kurrizore, ndërsa zonja tjetër është në gjendje të rënduar, është duke marrë serume. Ne kemi qenë shumë pranë me njëra-tjetrën dhe forcat e policisë janë hedhur mbi to. Njëra prej tyre është goditur nga pas me një shkop gome nga ana e policisë. Kapsollat janë hedhur nga persona të tjerë që kanë qenë në protestë si të infiltruar, mund të bëjmë dot ne identifikimin e tyre pasi kanë qenë shumë persona në protestë.  Erdhën punonjës të shumtë të policisë edhe në Spitalin Ushatarak, po iu bënin dhe video policëve që u sollën në spital, ndërkohë që askush nuk u interesua për zonjat që janë plagosur rëndë. Policët ecnin me këmbët e veta dhe nuk ishin të lënduar rëndë”.

Një protestuese shprehet se ka parë policë të veshur civil, që po provokojnë banorët, dhe sipas saj ato po hedhin shashka dhe kapsollë. Më tej ajo shton se policia nuk i ka provokuar, por i ka sulmuar dhe madje ka drejtuar armën kundrejt tyre.

“Nuk kemi hedhur shashka. Ka të lënduar midis nesh, u lëndua nëna ime. Policia duhet të bëjë detyrën dhe mos të ngrejë shkopa gome kundër nesh. Ka pasur provokime nga policia. Ka pasur policë të veshur civilë të cilët kanë hedhur shashka dhe kapsollë për të na provokuar. Janë këlyshat e Ramës. Nuk janë hedhur shashka nga ne. Nuk provokoi, policia ngriti dorën ndaj nesh, duke na drejtuar armën.”- shprehet një protestuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat