Përplasja te Parlamenti, Avokati i Popullit: Po hetojmë, dhuna nuk është mjet për zgjidhje

Shqipëria

Përplasja te Parlamenti, Avokati i Popullit: Po hetojmë, dhuna nuk është mjet për zgjidhje

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 21:42
Protesta

Pas dhunës para Kuvendit nga banorët e "Unazës së Re", ka reaguar edhe Avokati i Popullit. Në një deklarate të shpërndarë për mediat thuhet se Avokati i Popullit po e ndjek në vazhdimësi situatën e krijuar si pasojë e kundërshtimeve për projektin e Unazës së Re, ndërsa referuar përplasjes së dhunshme mes banorëve dhe policisë sot para Kuvendit, thekson se dhuna nuk është mjet për zgjidhje. Zgjidhja, sipas institucionit të Avokatit të Popullit, duhet të vijë përmes rrugës ligjore.  

Deklarata e Avokatit të Popullit:

Ndërkohë që prej të paktën dy javësh Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim për të verifikuar ligjshmërinë e procedurave të implementimit të këtij projekti të kontestuar nga një numër qytetarësh, si dhe garantimin e të drejtave të personave që preken nga ky projekt infrastrukutor, përplasjet midis këtyre të fundit dhe forcave të policisë ditën e sotme vendosin në fokus nevojën e përsëritur nga ana jonë për një debat gjithëpërfshirës rreth këtij projekti.

Avokati i Popullit këmbëngul se vetëm rruga institucionale dhe ligjore mund të jetë ajo që prodhon një rezultat të gjithëpranuar dhe koherent me interesat e publikut dhe rregullave mbi të cilat kemi ngritur shtetin tonë të përbashkët.

Dhuna nuk mund të jetë një mjet me anë të të cilit duhen kërkuar zgjidhje dhe nga ana tjetër po kaq e kritikueshme është intransigjenca e atyre autoriteteve që i bëjnë qytetarët të ndjehen të shpërfillur, pa mundësi për të dialoguar e aq më keq, të pasigurtë në jetën e tyre.

Ruajtja dhe garantimi i dinjitetit njerëzor duhet të qëndrojë në themelin e çdo vendimarrjeje e politike zhvillimi.

Mirëqeverisja si vlerë thelbësore e shtetit të së drejtës nuk mund të realizohet pa u zbatuar ligji si i vetmi burim i sigurisë për jetën, nga secili prej nesh - e nga organet e administratës shtetërore përpara të tjerëve.

Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh keqardhjen për situatën e krijuar si rezultat i së cilës nuk u arrit të shmangeshin dot lëndime nga radhët e punonjësve të policisë e të qytetarëve, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve duke garantuar se një hetim paralel ka nisur të zhvillohet për të parë nëse ka pasur tejkalime të kompentencave nga ana e institucioneve.

Me shpresën se situata të tilla prej të cilëve të gjithë si shoqëri dalim humbës do të evitohen, Avokati i Popullit bën thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve dhe nisjen sa më parë të një procesi të hapur, të ndershëm dhe të sinqertë komunikimi midis palëve deri në gjetjen e një zgjidhjeje të kënaqshme dhe ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat