Nafta në botë arrin në nivelin më të ulët, në Shqipëri është rritur dy herë

Shqipëria

Nafta në botë arrin në nivelin më të ulët, në Shqipëri është rritur dy herë

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 18:55
Foto ilustrim

Çmimi i naftës së papërpunuar europiane, Brent, preku nivelin e tij më të ulët gjatë gjithë 2018, duke u tregtuar me 61 dollarë.

Në raport me mesin e muajit tetor, kur ky tregues preku 86 dollarë, nafta ka rënë me 30% brenda pak javësh.

Ndërsa treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, ranë me 4.5 për qind dhe u tregtuan me 52.09 dollarë amerikanë për fuçi.

“E vërteta është se konsumi po ngadalësohet në të njëjtën kohë kur prodhimi i papërpunuar po rritet”, tha Konstantinos Venetis, Kryeekonomist në TS Lombard. “Kufizimet më të lehta ndaj Iranit kanë ndryshuar aritmetikën, megjithatë, duke shtuar mundësinë e rritjes së ofertës në vitin 2019”, përfundoi Z. Venetis për Financial Times.
Treguesit ndërkombëtar të naftës ranë 3%, njëkohësisht edhe niveli i më i ulëti në 13 muaj e fundit

Tema e nxehtë mbi shqetësimet e perspektivës së rritjes globale goditi edhe çmimet e naftës, ndërkohë që nuk u arrit asgjë në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve SHBA-Kinë, duke i lënë aksionet kineze të ekspozuara ndaj rreziqeve të mundshme. Të dhënat aspak të mira nga Eurozona e rritën akoma më shumë shqetësimin ndaj ekonomisë botërore, duke bërë që euroja të humbte pikë kundrejt dollarit (1.14 dollarë).

Nafta në Shqipëri

Në Shqipëri çmimi I karburantit e ka reflektuar dy herë përgjatë këtij viti shtrenjtimin e tij në bursat ndërkombëtare. Në qershor, kur nafta në botë u ngjit në 80 dollarë për fuçi, operatorët vendas reflektuan duke e shtrenjtuar karburantin me 5 lekë për litër nga 172-173 në 177-178 lekë/litër. Teksa nga korriku deri në mes të shtatorit, nafta në bursa ra në rreth 70 dollarë për fuçi, në Shqipëri ajo mbeti e pandryshuar.

Reflektimi i dytë i shtrenjtimit të naftës në bursa ishte në tetor, kur çmimi kaloi për pak ditë 80 dollarë për fuçi, duke arritur deri në 85 dollarë. Operatorët vendas e rritën karburantin edhe me 5 lekë të tjera për litër, duke e çuar mesatarisht nga 177-178 lekë në 182-183 lekë.

Ndërsa në bursa, që pas mesit të muajit tetor, çmimi i naftës ka rënë me shpejtësi, duke arritur në 61 dollarë për fuçi për treguesin Brent, që është referenca e naftës europiane.
Në Shqipëri, nafta vijon të tregtohet në nivelet e 180-182 lekëve dhe benzina në 181-183 lekë, e pandryshuar që nga mesi i muajit tetor.

Në këto nivele, Shqipëria rezulton që ka karburantin më të shtrenjtë në Europë, në raport me të ardhurat për frymë. Shqiptarëve u duhen mesatarisht 10.3% të të ardhurave ditore për të blerë një litër benzinë, duke e renditur në këtë mënyrë në shtetin europian që ka karburantin më të shtrenjtë në Europë, në raport me të ardhurat për frymë (pa përfshirë vendet e Ish Bashkimit Sovjetik).

Teksa në vlerë absolute, benzina në Shqipëri është pak më e lirë se në vende të tjera të Europës, si Francë, Portugali, Finlandë, Greqi, Holandë, Itali, në raport me të ardhurat për frymë ajo është shumë më e shtrenjtë.

Në Francë, e cila prej disa ditësh është mbërthyer nga protesta masive për shtrenjtimin e çmimeve të naftës, qytetarëve të saj u duhen vetëm 1.3% të të ardhurave ditore, pra 10 herë më pak se shqiptarëve. Italianëve u duhen 1.8% të të ardhurave ditore, holandezëve 1.1%, grekëve 2.9%.

Pas Shqipërisë, në Europë, nafta është më e shtrenjtë në vendet e rajonit, ku në Bosnjë duhen 7.6% të të ardhurave ditore, në Maqedoni 7.2% dhe në Bosnjë 7.1%. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat