Si u dyfishuan çmimet e ushqimeve dhe perimeve në 5 vitet e Rilindjes

Shqipëria

Si u dyfishuan çmimet e ushqimeve dhe perimeve në 5 vitet e Rilindjes

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 14:27
Foto ilustrim

Pavarësisht deklaratave propagandistike të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për rritje ekonomike, situata në vend duket se është krejt e kundërta.

Rritja ekonomike që pretendon Rama dhe ministrat e tij, nuk është pasqyruar në xhepat e shqiptarëve, përkundrazi gjatë 5 viteve të Rilindjes, çmimet e ushqimeve dhe fruta perimeve janë rritur, ndërkohë që rrogat dhe pensionet nuk kanë lëvizur.

Gjithashtu gjatë këtyre 5 viteve kemi rritjen e çmimit të barnave, të ujit, energjisë elektrike dhe të naftës.

Mëposhtë po sjellim analizën e plotë të bërë nga portali ekonomik SCAN.

Si llogaritet inflacioni

Indeksi llogaritet dhe publikohet sipas strukturës së klasifikimit të Shpenzimeve Individuale sipas Qëllimit), i përputhshëm plotësisht me strukturën e shpenzimeve që përdor EUROSTAT. Bazuar në këtë klasifikim shpenzimet janë klasifikuar në 12 grupe kryesore si: Ushqime, pije alkoolike dhe duhan (38.6% e peshës së shpenzimeve); Pije alkoolike dhe duhan (3.5%) ; Veshje dhe këpucë (4.1%); Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji elektrike (20.9%) ; Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje (6.1%) ; Shëndetësi (3%); Transport (6%); Komunikim (2.8%) ; Arsim dhe kulturë (2.6%) ; Shërbim arsimor (3.1%) ; Hotele, kafene dhe restorante (3.8%) ; Mallra dhe shërbime të tjera (5.5%). Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Familjeve (ABF) 2015 u përdorën për përzgjedhjen e artikujve të shportës së përditësuar. Për këtë qëllim është punuar mbi një skedar të shpenzimeve të familjeve me afërsisht 478 artikuj.

Shqipëria ka 12 qarqe. Për qëllim të llogaritjes së IÇK-së janë përdorur 11 qarqe, ku qarku i Kukësit është përfaqësuar nga qarku i Dibrës. Peshat janë llogaritur duke marrë në konsideratë zonën urbane dhe rurale (fshat- qytet), ndërsa çmimet mblidhen vetëm në zonën urbane. Për zgjedhjen e dyqaneve ndiqen dy kritere: tipi i dyqanit; vendin ku ndodhet dyqani. Bazuar në tipin e dyqanit, çmimet mblidhen në dyqane të specializuar, mini markete, supermarkete, tregje të hapura e të tjera. Ndërsa, bazuar në vendin e ndodhjes së dyqanit çmimet mblidhen në dyqane që janë në qendër të qytetit dhe në periferi duke siguruar kështu mbulimin e të gjithë territorit. Në çdo qytet çmimet mblidhen në 6-8 ose 10 dyqane. Çdo muaj afërsisht mblidhen rreth 30 mijë çmime individuale. Çmimet mblidhen në rreth 3500 dyqane çdo muaj.

Ushqimet janë shtrenjtuar me 20%

Në pesë vitet e fundit, çmimet e ushqimeve janë shtrenjtuar me 20%. Kjo sigurisht që ka rënduar buxhetet familjare, po të kemi parasysh se ushqimet zënë rreth 39% në shportën e shpenzimeve familjare që përdoret si referencë për llogaritjen e inflacionit. Rritja e çmimeve është mjaft e theksuar te perimet dhe frutat, megjithatë, shtrenjtimi i fortë në këto grupe është ekuilibruar pjesërisht nga rënia e çmimeve në grupet e produkteve ushqimore të përpunuara, çmimet e të cilave lidhen kryesisht me importin dhe konjukturën e tregjeve ndërkombëtare. Në pesë vjet, çmimi i bukës për shqiptarët nuk është shtrenjtuar, përkundrazi, ka rënë mesatarisht me 1%. Ndërsa çmimi i mishit, tjetër produkt i rëndësishëm në dietë dhe në shportën e shpenzimeve, është rritur me vetëm 0.7% në harkun e pesë viteve. Rënie të çmimeve kanë pësuar edhe vajrat ushqimorë, me 8.8% dhe sheqeri e ëmbëlsirat, me 2.2%.

Në të njëjtën masë me ushqimet janë shtrenjtuar edhe pijet alkoolike dhe duhani. Rritja është më e theksuar te duhani, me rreth 29%, ndërsa çmimet e pijeve alkoolike janë shtrenjtuar me rreth 9%. Sidoqoftë, te këto produkte rritja në kohë është logjike, për shkak të regjimit fiskal që synon të dekurajojë konsumin e tyre. Rritja graduale e akcizës në kohë, sidomos për duhanin, i rrit çmimet me qëllim uljen e kërkesës për këto produkte.

Veshjet dhe këpucët janë 9% më të lira

Po të shohësh publikimet periodike për inflacionin, bie vazhdimisht në sy se për grupin veshje dhe këpucë” ai është në vlera negative prej vitesh. Çmimet e këtyre produkteve kanë rënë me 9% krahasuar me vitin 2012. Çmimet për veshjet e burrave kanë rënë me 15%, ndërsa ato për veshjet e grave me 17%. Por, ndërkohë, rënia është shumë e kufizuar te çmimet e veshjeve për fëmijë, me 1.4%. E njëjta tendencë vërehet edhe për këpucët, ku rënia është shumë më e ndjeshme te ato për të rritur, ndërsa te fëmijët çmimet kanë rënë më pak se 1% në pesë vjet. Rënia e çmimeve të veshjeve besohet se lidhet me ofertën mjaft të lartë dhe të diversifikuar.

Uji 5% më i shtrenjtë

Shërbimet utilitare këto pesë vjet janë shtrenjtuar. Në këtë segment, rritja është më e perceptueshme, sepse, për energjinë elektrike dhe ujin çmimet janë të administruara dhe ndryshohen me vendimet e enteve rregullatore. Çmimet e ujit të pijshëm janë rritur mesatarisht 5%, ndërsa ato të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse për përdorim shtëpiak janë rritur me 2.8% që nga viti 2018. Në rënie janë çmimet e qirave, që sipas Instat, në vitin 2017 ishin 1.3% më të lira krahasuar me vitin 2012.

Pothuajse i pandryshuar në pesë vjet ka ngelur edhe kosto mesatare e mobilimit dhe mirëmbajtjes së shtëpisë, që në pesë vjet është rritur me vetëm 0.2%. Brenda këtij grupi, çmimet e mobilieve janë në rënie, mesatarisht me 3.7%. Ndër nëngrupet e tjera që kanë pësuar rënie të çmimeve vlejnë të përmenden pajisjet e gatimit, me 4.4%. Ndërkohë, efekt të kundërt ka dhënë shtrenjtimi i produkteve të veçanta, si tekstilet për përdorim shtëpiak, me 3.7% apo qelqurinat me 4.5% më shumë se në vitin 2012.

Çmimet e automjeteve kanë rënë

Grup i rëndësishëm i shpenzimeve që kushton më lirë në harkun kohor të pesë viteve të fundit është ai që lidhet me transportin. Sipas Instat, transporti iu kushton shqiptarëve 2.3% më lirë krahasuar me vitin 2012. Këtu ka ndikuar si rënia e lehtë e çmimeve të karburanteve në harkun e pesë viteve, si ulja e çmimeve për automjeteve. Importi masiv i mjeteve të përdorura ka sjellë ofertë të lartë për to në tregun vendas. Çmimet e tyre kanë rënë me 5.3% në pesë vitet e fundit.

Për sa i takon shërbimeve ndaj mjeteve të transportit, ku përfshihet edhe kosto e karburantit, sipas Instat, çmimet kanë rënë me 4.2% në pesë vjet. Megjithatë, çmimet e karburanteve janë qartësisht të luhatshme dhe gjatë këtij viti ka një tendencë të shtrenjtimit të tyre.

Barnat kushtojnë më lirë

Të dhënat e Instat konfirmojnë një nga ato të cilat qeveria i vlerëson si arritje: uljen e çmimeve të barnave. Barnat dhe pajisjet mjekësore vitin e kaluar ishin 11.3% më të lira krahasuar me vitin 2012. Në masën më të madhe, besohet se kjo lidhet me heqjen e TVSH-së për barnat, një nga masat e para fiskale të qeverisë së koalicionit të majtë, pas ardhjes në pushtet. Edhe shërbimet spitalore, sipas Instat, janë më të lira me 4.1%. Por, ndërkohë, vërehet një rritje e kostove për shërbimet e tjera mjekësore, përfshi ato dentare, me afro 9%. Mesatarisht, çmimet e grupit që përfshin shpenzimet për shëndetin, kanë rënë me 7.5% në harkun e pesë viteve.

Arsimi, 20% më i shtrenjtë.

Nëse shëndeti iu kushton shqiptarëve më pak, arsimi iu kushton atyre shumë më tepër krahasuar me vitin 2012. Indeksi i çmimeve për këtë grup është rritur me afro 20% në pesë vitet e fundit. Ky shtrenjtim lidhet me rritjen e tarifave në shkollat publike, por, edhe pastrimin e tregut privat. Mbyllja e shumë universiteteve në fillim të mandatit qeverisës, kryesisht të atyre që ofronin tarifa shumë të ulëta shkollimi, solli edhe një rritje të çmimit mesatar për arsimin e lartë privat.

Librat dhe pajisjet shkollore, 9% më të shtrenjta.

Për shërbimet e tjera më pak jetike dhe të domosdoshme, vërehet se në pesë vitet e fundit çmimet janë rritur në përmasa të kufizuara, mesatarisht rreth 1% në vit. Çmimet e kafeneve dhe restoranteve vitin e kaluar ishin 6.1% më të shtrenjta krahasuar me vitin 2012, ndërsa çmimet e hoteleve janë shtrenjtuar me 5.5%. Argëtimi dhe kultura kushton 4.3% më shtrenjtë krahasuar me vitin 2012. Por, rritja ka ardhur e gjitha nga shtrenjtimi i librave dhe pajisjeve shkollore, me mbi 9%. Ndërkohë, shërbimet kulturore kanë pësuar një rënie të lehtë të çmimeve, me 2% më pak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat