Thirrja në Ditën e Pavarësisë: Mos braktisni Shqipërinë! - Bota Sot
Thirrja në Ditën e Pavarësisë: Mos braktisni Shqipërinë!

Shqipëria

Thirrja në Ditën e Pavarësisë: Mos braktisni Shqipërinë!

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 15:31
Ceremonitë e ngritjes së flamurit janë organizuar në qytetet më të mëdha të vendit

Në Korçë, përveç ceremonive në 106-vjetorin e Pavarësisë, u mbajt dhe mesha e flamurit në katedralen “Ringjallja e Krishtit”, një traditë simbolike për Korçën në këtë ditë, ndërsa mitropoliti i Korçës, imzot Johan Pelushi u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos braktisin vendin.

“Është e pamundur të duash Zotin nëse nuk do vendin tënd. Mos ta braktisim vendin pasi detyra jonë është lulëzimi dhe përparimi i vendit tonë”, tha mitropoliti i Korçës.

Axhenda korçare e pavarësisë përfshinte më pas edhe një vizitë në xhaminë “Iljaz Bej Mirahori”.

Ceremonitë e ngritjes së flamurit janë organizuar në qytetet më të mëdha të vendit. Në Shkodër për 106-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë interpretoi banda frymore e qytetit. Pas ceremonisë, kryetarja demokrate e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi vendosi kurora me lule te busti i Luigj Gurakuqit dhe nderoi dëshmorët shkodranë.

Në ceremoninë e organizuar në Elbasan ishte e pranishme LSI-ja, ndërkohë që kanë munguar përfaqësuesit e PD-së.

Në Berat, drejtuesit e institucioneve janë ndarë me festimet e tyre përsa i përket festës së Çlirimit. Zyrtarët e bashkisë, prefekturës, qarkut, por dhe institucioneve të tjera së bashku me drejtuesit e forcave të ndryshme politike lokale vizituan monumentin kushtuar firmëtarëve të aktit të Pavarsisë, ndërsa drejtuesit e degës së PD-së, nderuan sot edhe të rënët e luftës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...