Voltana Ademi: 29 Nëntori, ditë zie për Shkodrën

Shqipëria

Voltana Ademi: 29 Nëntori, ditë zie për Shkodrën

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 21:43
Voltana Ademi

Dita e Çlirimit, 29 Nëntori vijon të shkaktojë debate, ndërsa nga një pjesë e mirë e politikës nuk pranohet, madje konsiderohet si ditë e pushtimit nga komunizmi. Shkodra është ajo që e përjeton më së shumti mungesën e festimit më 29 Nëntor.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Open” të Eni Vasilit, në ekranin e Top Channel, ajo ripërsëriti argumentin pse nuk festohet në kryeqendrën e veriut.

“As nuk mund të mendohet të festohet në Shkodër, për shkak të vuajtjeve që kemi kaluar gjatë komunizmit”, tha ndër të tjera kryebashkiakja Voltana Ademi.

Demokratët, si gjithmonë gjatë viteve të plurarizmit politik, nuk organizojnë asnjë ceremoni festive në këtë ditë, përkundrazi shënojnë Pavarësinë dhe Çlirimin bashkë më 28 Nëntor duke vendosur kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve.

“E kam thënë edhe para 4 ditësh për gazetarët. Në Shkodër, prej 3 vitesh radhazi, pankartat janë në qytet dhe shënojnë festimet e 28 Nëntorit. Unë thashë atë që di unë, dimë ne në Shkodër dhe ndiejmë. Historianët kanë interpretimet e veta, unë nuk jam historiane, por lexoj atë që ka ndodhur në Shkodër. Pikërisht prej andej nisi një pjesë e represionit dhe internimeve, plaçkitjeve, dhunimit të të drejtave, që përfunduan në vitin 1990. Ajo që ndodhi në Shkodër është se pas Luftës së Dytë Botërore në qytetin tonë nisi gjithçka e dhunshme. Debati për ne nuk është se kur ka ikur gjermani i fundit, por fillimi i një periudhe të zezë të historisë për ne”, tha më tej Ademi.

Për periudhën pas 29 Nëntorit të 1944-s, në Shkodër mund të flitet vetëm për persekutime, plaçkitje, internimesh, ekzekutime klerikësh e gjithçka të errët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat