‘Raportet me Ramën e Bashën’, Meta: Me Berishën është një kimi tjetër

Shqipëria

‘Raportet me Ramën e Bashën’, Meta: Me Berishën është një kimi tjetër

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 21:54
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka sqaruar sot në emisionin ‘Opinion’ të gazetarit Blendi Fevziu, raportet e tij me kryeministrin Rama, kreun e opozitës Basha si edhe me ish-kryeministrin Berisha. Nga të tre, ra në sy fakti se Meta ka veçuar marrëdhënien e tij me Berishën pasi siç edhe u shpreh: ‘Marrëdhëniet e mia me z. Berisha janë marrëdhënie të veçanta. Është një kimi tjetër’, - ka deklaruar Meta.

PJESË NGA INTERVISTA

BLENDI FEVZIU: Personalisht a keni pasur ndonjëherë raporte me Ramën? A keni biseduar ndonjëherë jo si Kryeministri me ministrin apo me Kryetarin e Bashkisë, jo si dy kryetarë partie, jo si Kryeministri me Presidentin apo me Kryetarin e Kuvendit?

PRESIDENTI META: Kjo është diçka e parëndësishme. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, kemi pasur edhe marrëdhënie problematike. Në detyrën që jam, për mua historitë e së kaluarës dhe raportet personale me asnjë nuk vlejnë. Për mua vlen sjellja institucionale, qëllimi i përbashkët për të cilin duhet bashkëpunuar.

BLENDI FEVZIU: Dhe ndërkohë e keni të vështirë të vendosni raporte personale me të apo refuzoni ta bëni këtë gjë?

PRESIDENTI META: Nuk është ky prioriteti. Prioriteti im në raport me të gjithë në këtë detyrë është bashkëpunimi institucional.

BLENDI FEVZIU: Iu pyeta jashtë detyrës, më shumë si një raport. Vë re për shembull që pak ditë më parë ka qëndruar për një orë e gjysmë në një takim me ju. Nuk besoj që për një orë e gjysmë është folur për çështjen e Lleshit?

PRESIDENTI META: Çfarëdolloj çështje që të diskutohet nuk ka rëndësi. Kjo nuk i intereson askujt se çfarë pimë ne, kafe apo kakao në kuptimin personal, apo se çfarë shakaje bëmë.

BLENDI FEVZIU: Po marrëdhëniet me z. Basha si janë?

PRESIDENTI META: Raporte normale, institucionale.

BLENDI FEVZIU: Nuk ka raporte të tjera përtej këtyre?

PRESIDENTI META: Nuk ka ndonjë raport të veçantë.

BLENDI FEVZIU: Po me z. Berisha?

PRESIDENTI META: Këtu ka një dallim. Kuptohet që marrëdhëniet e mia me z. Berisha janë marrëdhënie të veçanta.

BLENDI FEVZIU: Kur ka lindur kjo ‘dashuri’ e juaja për Berishën, z. Meta? Ju keni qenë kundërshtar politik për një periudhë të gjatë kohe, nga viti 1992 të paktën deri në vitin 2009, kur u bashkuat në një koalicion me të

PRESIDENTI META: Të gjitha në kompleksin e tyre kanë krijuar një marrëdhënie të veçantë. Është një kimi tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat