Problemet serioze të Vettingut shqiptar

Shqipëria

Problemet serioze të Vettingut shqiptar

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Së fundi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti i Studimeve Politike kanë përpiluar një raport, i cili vëren se vettingu për prokurorët dhe gjyqtarët ka probleme të dukshme me standardet e skualifikimit.

Ligji parashikon tri kritere për të qenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë; pasurinë e justifikuar, integritetin personal dhe aftësitë profesionale. Por, këto 3 kritere me sa duket nuk po zbatohen njëlloj për të gjithë subjektet e rivlerësimit.

Pikërisht për të folur mbi këtë raport dhe konkluzionet e tij, e ftuar në studion e emisionit të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj. Erida Skëndaj.

-Raporti i hartuar prej KSHH-së duket se hedh dritë mbi atë çfarë po ndodh me vettingun për njerëzit e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë. Lind pyetja, a po cënohet vërtetësia e procesit të vettingut nga ajo çfarë është parë deri tani?

“Si një proces që ka 7-8 muaj që ka filluar, sepse vendimmarrja e parë e organeve të vettingut daton që nga muaji shkurt merr një notë pozitive. Sa i përket vërtetësisë nuk mund të themi nëse cënohet apo jo, sepse është një proces që kalon disa instanca. Një pjesë e vendimeve janë kundërshtuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Megjithatë, në tërësi nota pozitive që ne i japim këtij procesi nuk e ka cënuar vërtetësinë e tij, pasi kemi parë gjyqtarë e prokurorë me pasuri tepër të pajustifikuara dhe tepër të pakonceptueshme për standardin e jetesës me të cilin përballen shumë shtresa në nevojë, në vendin tonë”, tha zonja Skëndaj.

-Cili është vlerësimi që Komisioni Shqiptar i Helsinkit ka për rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), i quajtur ndryshe si “Big Brother”-i që vëzhgon të gjithë procesin dhe jep vlerësimin, ose kthen të dyshuarit që kanë kaluar pa justifikuar një nga kriteret?

“Në disa raste vëzhguesit e Komitetit të Helsinkit kanë ngritur çështjen se, në disa raste sporadike, vëzhguesit e ONM-së kanë bërë pyetje që mund të kenë ndikuar në paragjykimin e procesit dhe do të duhej të ishin më neutralë. Sipas vëzhguesve tanë, pyetjet kanë qenë sugjestionuese apo edhe paragjykuese, e jo objektive. Po, ata kanë informacione mbi subjektet e rivlerësimit, por kanë edhe një opinion që e shfaqin në proces. Ne mendojmë se, për hir të transparencës karshi publikut do të duhej që opinionet e tyre, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme, të publikohen dhe të jenë të shikueshme e të qasshme nga të gjithë, përfshi ne si vëzhgues dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në këtë mënyrë do të bënim një vlerësim më të mirë të rolit të ONM-së në këtë proces”, tha Skëndaj.

Në vlerësimin e zonjës Erida Skëndaj dhe institucionit që përfaqëson, kur mund të përmbyllet ky proces vettingu, me ecurinë që kanë parë deri më tani? Thuhet që në dhjetor do të ngrihen KLP-ja dhe KLGJ-ja, për anëtarët e të cilëve pritet të hidhet shorti.

“Edhe për KLGJ dhe KLP ka një problematikë, por le të qëndrojmë te vettingu. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka mandatin për 5 vite dhe nëse nuk i shqyrton të gjitha dosjet e mbetura, ato do t’i kalojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për prokurorët, që do të vazhdojnë me procesin e rivlerësimit. Në vitin e parë të KPK-së janë rivlerësuar 10 për qind e subjekteve, nga 700 të tillë. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, për 5 vite i bie që të rivlerësohen 50 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj do të duhet që ritmet të përshpejtohen, me qëllim që KPK-ja të rivlerësojë shumicën dërrmuese të tyre. Nuk do të ishte në interes të procesit që të rivlerësohej një numër relativisht i ulët subjektesh, e më pas e gjithë pjesa tjetër të kalojë te KLGJ-ja e KLP-ja”, tha Skëndaj.

Kësisoj lind pyetja, a mund të quhet një proces normal, apo është i zvarritur në rrugëtimin e vet?

“Ne kemi kërkuar ritme më të shpejtuara për këtë proces, nuk mund të themi se është i zvarritur, sepse edhe hetimi administrativ i pasurive kërkon një punë shumë impenjative. Kjo sepse vettingu nuk vendos një afat, për t’u ndalur për shembull në pasurinë që është vënë në 10 vitet e fundit të ushtrimit të detyrës si gjyqtar apo prokuror. Kjo ka krijuar pengesa dhe vështirësi për institucionet e vettingut në marrjen e informacionit dhe të dokumentacionit të duhur për të hedhur dritë mbi ligjshmërinë e burimit të krijimit të këtyre pasurive”, u shpreh më tej zonja Skëndaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat