“Omonia” në Korçë kërkon heqjen “non grata” për eurodeputeten dhe paramilitarët e “Agimit të Artë”

Shqipëria

“Omonia” në Korçë kërkon heqjen “non grata” për eurodeputeten dhe paramilitarët e “Agimit të Artë”

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 18:52
Eleni Theohari

Organizata e minoritarëve “Omonia” në Korçë me në krye Ligor Karamelon i drejtohet Vangjel Dules që t’i kërkojë shtetit shqiptar heqjen e “person non grata” eurodeputetes esktremiste qipriote, Eleni Theohari dhe 52 paramilitarëve të “Agimit të Artë”.

Më poshtë keni në gjuhën shqipe letrën drejtuar kreut të “Omonia”-s dhe Vangjel Dules.

Korçë, me 27.11.2018

Dega Korçë

Letër – rekomandim

Drejtuar: zotit Vasil Kajo, kryetar i “Omonia”-s, kryesisë së “Omonia”-s.

Për njoftim: zotit Vangjel Dule deputet e kryetar i PBDNJ-së

Këshilli i Përgjithshem Drejtues i degës së “Omonia”-s Korçë në mbledhjen e tij të zgjeruar, pasi zhvilloi një analizë të hollësishme të gjendjes së krijuar pas ngjarjes së paprecedent, të vrasjes nga forcat speciale të Kostandin Kacifas, bashkëkombasit tonë konkludoi që t’ju rekomandojë Juve zoti kryetar e organeve drejtuese të “Omonia”-s për sa vijon:

1.Të shqetësuar nga indiferenca totale e institucioneve për të zbardhur të vërtetën e për të bërë transparencën e nevojshme të kësaj ngjarjeje kriminale, intesifikoni përpjekjet e gjithanshme duke përdorur të gjitha mundësitë e mjetet demokratike, kuadrin ligjor për liritë e të drejtat e njeriut e të minoriteteve, informoni hollësisht organizatat ndërkombëtare e trupin diplomatik për këtë vrasje të shëmtuar dhe për këtë heshtje acaruese, me sfond etnik e dhunë të hapur psikologjike ndaj komunitetit tonë.

2.Të kontaktoni zyrtarisht e të kërkoni me forcë pranë autoriteteve shqiptare të tërheqin masën “person non grata” ndaj eurodeputetes Eleni Theohari, si dhe ndaj 52 personave të tjerë, të shmangin retorikën nacionaliste dhe të kontribuojnë konkretisht e realisht në rivendosjen e një klime besimi e mirëkuptimi midis shumicës e pakicës midis dy vendeve fqinje konform standarteve, traditës historike dhe dëshirës së përbashkët.

3.Duke u nisur nga këto premisa, mendojmë se është e nevojshme fillimi e zhvillimi nga ana Juaj dhe e drejtuesve të “Omonia”-s i një lëvizje informuese e dëgjuese me të gjithë faktorët e minoritetit, me të gjitha strukturat e “Omonia”-s fshat më fshat e qytet më qytet, konkluzioni i së cilës të jetë hartimi i në program-veprimi konkret me synim zgjidhjen e problemeve, ndërgjegjësimin e minoritetit për të vepruar si nje i tërë, për të rritur efektshmërinë e përfaqësimit politik dhe dinjitetin shoqëror.

Situata e krijuar ndaj nesh dhe nga ne nuk mund të përballohet as duke heshtur, as duke ulur kokën e as duke qëndruar duarkryq. Duhet ndërgjegjësim, veprim e dinjitet. Të drejtat e liritë që na takojnë nuk na i fal kush, ato fitohen.

Këshilli i Përgjithshem Drejtues i Degës së “Omonia”-s Korçë

Kryetari

Ligoraq Karamelo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat