Afati i vetëdeklarimit të puseve drejt fundit, këto dokumenta duhen dorëzuar

Shqipëria

Afati i vetëdeklarimit të puseve drejt fundit, këto dokumenta duhen dorëzuar

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Të gjithë bizneset apo familjarët që shfrytëzojnë ujërat nëntokësorë me puse do të duhet t’i formalizojnë përmes vetëdeklarimit.

Gjithçka u paralajmërua nga kryeministri, Edi Rama gjatë prezantimit të reformës në sektorin e ujit, ndërkohë që tashmë është miratuar edhe ligji, i cili parashikon që subjektet fizike dhe juridike, të cilat shfrytëzojnë ujërat nëntokësore pa u pajisur leje apo autorizim, detyrohen të vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre pranë zyrave të administrimit të baseneve ujore, brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.

Ligji është miratuar në datën 8 shkurt 2018, ndërkohë që paralelisht Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore është duke punuar për nxjerrjen e akteve nënligjore që do të mundësojnë vetëdeklarimet.

Drejtoresha e përgjithshme e këtij dikasteri, Gerta Lubonja thotë për TV SCAN se “dokumentacionet që do të dorëzohen do të jenë minimale duke ulur në zero koston e aplikimeve për përdoruesit familjarë”.

Sipas saj “grupet e punës ndërinstitucionale do të bëjnë evidentimin në terren pas plotësimit të dokumentacionit dhe do të dërgohen për vendimmarrje për t’i mundësuar përdoruesve pajisjen me leje dhe autorizime”.

Subjektet që vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre brenda afatit të përcaktuar nuk do të ndëshkohen për kundërvajtjen administrative të kryer. Në rast në kundër, ligji parashikon edhe dënime me gjobë, që variojnë nga 500 mijë lekë deri në 2 milion lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat