Raporti i vlerësimit, këto janë mangësitë e Universitetit të Tiranës

Shqipëria

Raporti i vlerësimit, këto janë mangësitë e Universitetit të Tiranës

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 18:03
Universiteti i Tiranës

I vetëkënaqur me përparimin e bërë nga viti i kaluar, duke u akredituar nga një në katër vjet, por ende me mangësi. Ky është Universiteti i Tiranës, më i madhi e më i preferuari nga studentët.

Që kur bordi mori vendimin për akreditim deri në vitin 2022, UT shpejtoi të përhapë “lajmin e mirë”, ende pa u zbardhur raporti e pa u thelluar në të. Por çfarë e bëri atë të tejkalojë veten në vetëm një vit, e sërish të mbetet pas në renditje krahasuar me disa universitete të tjera, private apo edhe në rrethe dhe që sipas britanikëve rezultojnë më lart?! Kësaj i jep përgjigje dokumenti i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), ku thuhet qartë se përpos punës së bërë, universiteti nuk ka një politikë, qoftë dhe formale për të rritur performancën e mësimdhënies e kërkimit shkencor, zbulimin e rasteve të plagjiaturës apo menaxhimit të informacionit.

MANGËSITË

“Një sistem jo i plotë i menaxhimit të informacionit në rang universiteti, përfshirë atë që lidhet më të dhënat e studentëve; Mungesa e një politike institucionale për vlerësimin dhe përmirësimi e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit, si dhe kritereve të posaçme dhe transparencës në alokimin e fondeve të kërkimit te departamentet dhe grupet kërkimore shkencore; mungesa e një politike formale për identifikimin e plagjiaturës dhe sjelljeve të tjera jokorrekte akademike”, citohet në vendimin përfundimtar për akreditimin periodik të Universitetit të Tiranës, ku flitet për mangësitë në pesë treguesit e vlerësimit. Kritikat e mësipërme lidhen me një nga fushat më të rëndësishme, mësimdhënia, e cila vijon të çalojë. Mungesa e një sistemi të informatizuar dhe mungesa e kulturës së debatit në organet kolegjiale janë gjithashtu një tjetër pikë e dobët në UT, që nuk garanton koordinim dhe paanshmëri për mbarëvajtjen e universitetit. Kështu, edhe pse me një përvojë të njohur vlerësimi e standardesh, ekspertët e UT-së nuk kanë arritur të shkëlqejnë në “provimin” e dytë të ekspertëve britanikë. Raporti është hartuar pas vlerësimit të dokumentacionit të vetëvlerësimit, hartuar nga një grup i posaçëm në universitet, vlerësim i jashtëm i kryer nga britanikët si dhe gjetjet dhe verifikimet e drejtpërdrejta në këtë institucion.

REKOMANDIMET

Bazuar në mangësitë e evidentuara në raport, ASCAL i ka dhënë UT disa “detyra shtëpie”, të cilat duhet t’i përmbushë brenda një afati të caktuar kohor (tabela sipër shkrimit). Brenda këtij viti akademik, universitetit duhet të ketë sistemin e tij të menaxhimit të informacionit dhe bazën e të dhënave për studentët. Për më shumë kohë, rreth dy vite, do të duhet të ndërmarrë hapat e duhur për të siguruar një qeverisje dhe menaxhim efektiv të dijes duke rregulluar marrëdhëniet midis organeve kolegjiale. Çështje prioritare për ASCAL është politika kontrollimin e plagjiaturës së pedagogëve si dhe vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Sa i takon kësaj të fundit, nevojitet më shumë punë për të gjeneruar fonde përmes projekteve kërkimore, duke mos shmangur edhe transparencën në ndarjen e tyre. Për të gjitha këto, UT-së i ka mbetur tashmë më pak se gjashtë muaj kohë për të hartuar një plan veprimi konkret se si do t’i përmbushin rekomandimet e ekspertëve anglezë.

REKTORI I UT, KONI: VLERËSIM PËR INSTITUCIONIN

Zgjatja e periudhës së akreditimit nga një në katër vite, për rektorin e Universitetit të Tiranës, është një vlerësim. Në një intervistë vetëm pak ditë pasi mori lajmin, Mynyr Koni thotë se dokumenti final është rezultat i një pune të madhe nga institucioni. “Kjo ka ardhur si rrjedhojë e një pune të palodhur e të gjitha strukturave të UT, senatit akademik, të rektoratit, të drejtuesve të njësisë kryesore dhe në mënyrë të veçantë një punë e palodhur e grupit të vlerësimit të brendshëm, i cili ka punuar me përkushtim për të përgatitur një raport dinjitoz”. Risi për rektorin janë aktivitetet mësimore dhe konferencat shkencore që organizohen nga Universiteti i Tiranës, provë kjo e qartë për punën serioze në kërkimin shkencor, që është edhe një nga standardet e rëndësishme.

AFATET KOHORE PËR PLOTËSIMIN E MANGËSIVE

Brenda vitit akademik 2018-2019, të plotësojë dhe shtrijë sistemin e menaxhimit të informacionit dhe bazën e të dhënave për studentët, në të gjitha njësitë e institucionit, duke përfshirë në të monitorimin e përfshirjes së studentëve në tregun e punës, aktiviteteve kërkimore shkencore dhe trajnuese.

Brenda dy viteve të ardhshme akademike, të ndërmarrë hapa për të siguruar krijimin e një mjedisi të koordinuar, bashkëpunues dhe konstruktiv që mundëson debatin dhe diskutimin në të gjitha organet kolegjiale të institucionit, vendimmarrjen në mënyrë profesionale dhe kolegjiale për të siguruar një qeverisje dhe menaxhim efektiv e efikas.

Institucioni, brenda dy viteve të ardhshme akademike, të hartojë dhe vërë në zbatim një politikë formale për plagjiaturën dhe sjellje të tjera akademike, si çështje prioritare.

Institucioni, brenda dy viteve të ardhshme akademike, të hartojë dhe zbatojë një politikë për vlerësimin e cilësisë së mësimdhënies e kërkimit, si dhe kritereve formale zyrtare për alokimin dhe shpërndarjen e fondeve për kërkimin shkencor në nivel fakulteti dhe departamenti, si dhe një mekanizëm që inkurajon departamentet për të gjeneruar fonde kërkimore përmes projekteve dhe aktiviteteve të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat