Premtoi “zhdukjen” e bixhozit, Rama bën lëshimin e parë për kazinotë!

Shqipëria

Premtoi “zhdukjen” e bixhozit, Rama bën lëshimin e parë për kazinotë!

Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 13:43
Edi Rama

Më datë 25 tetor po në sallën e parlamentit shqiptar, Edi Rama do të deklaronte se me ardhjen e buxhetit e paketës fiskale në kuvend, taksa prej 15% ndaj kazinove do të rritej në 30%, ashtu siç edhe i kërkonte kryetari i komisionit të ekonomisë, deputeti i PS-së Braçe.

Sot më datë 3 dhjetor në parlament po diskutohet pikërisht mbi buxhetin e paketën fiskale të vitit 2019 dhe kur Braçe ka rikërkuar rritjen e taksimit nga 15 në 30% për kazinotë, Rama ka votuar kundër.

Më 25 tetor Rama deklaronte se ishte dakort, por sot ai ka dhënë disa justifikime për të mos e rritur taksën, me argumentin se taksa s’mund të rritet pasi në Shqipëri nuk ka hotele me 5 yje dhe se kazinotë që do të ndodhen vetëm në këto resorte s’kanë sesi të taksohen. Rama tha se s’mund të vihet një taksë për diçka që ende nuk ekziston duke shtuar se kur të kemi një sasi hotelesh lukzose me 5 yje, atëherë do të diskutohet mbi rritjen e taksës.

Rama: Është pozitive që ne bëjmë debat dhe amendamente... bëjmë dhe opozitën e këtij parlamenti dhe praktikisht e gjithë dita e sotme ka qenë e frytshme pasi janë bërë përmirësime në të gjithë draftin e buxhetin e në paketën fiskale. Besoj se mesazhi është shumë pozitiv pavarësisht se fokusi në këtë seancë tek disa amendamente mund të krijojë një ide paksa më ndryshe. Dëshiroj të kujtoj se ne akoma nuk kemi asnjë hotel me 5 yje në Shqipëri. Nuk është një mbështetje që qeveria i bën të pasurve, por ekonomisë. Ne nuk mund të ndryshojmë një incentivë sot kur nuk kemi ende një hotel me 5 yje, sepse do jepnim mesazhin më të gabuar tek investitorët, që sic e thashë janë afro 15 të tilla që po diskutojnë për të bërë hotele. Kur ne ti kemi këto, ne mund të diskutojmë për rritjen e taksës.

Por ndryshe nga “dredhia” e kryeministrit Rama, deputeti i PS-së Paulin Sterkaj ka ngritur pikëpyetje në lidhje me taksimin e kazinove, duke u shprehur se është e pakuptimtë që në një kohë kur po luftohet për “zhdukjen” totale të industrisë së bixhozit, lejohet krijimi i kazinove për të pasurit. 

Sterkaj: Nuk jam as me Braçen për këtë amendament, por nuk jam as me ministrin, se unë këtë nuk e kuptoj. Heqja e lojërave të fatit është hequr në masë absolute tek sporti, bixhozi dhe lojërat elektronike, por është dhënë në hotele me 4 apo 5 yje. Pra këtu nuk është hequr bixhozi për njerëzit, këtu bixhozi ekziston. Nëse bixhozi hiqet, të hiqet absolut në çdo institucion turistik. Jam kundër Braces që ti vëmë 30% sepse ata do fitojnë. Unë do isha të hiqen krejt bixhozet, mos stimulohen as në hotele me 5 yje as me 6 yje, për shkak se këtu po ndajmë shtresat. Të pasurit paskan të drejtë të luajnë, që shkojnë në hotele me 5 apo 6 yje. Ndërsa të varfërit spaskan të drejtë të luajnë me lojërat e fatit. 

Sterkaj ka kërkuar që të gjitha kazinotë të hiqen, një propozim që është rrëzuar po ashtu si propozimi i Braçes për t’i rritur taksat kazinove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat