Tarifat e arsimit, protesta studentore “merr zgjerim”

Shqipëria

Tarifat e arsimit, protesta studentore “merr zgjerim”

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 10:36

Protesta studentore ka marrë një hov të ri këtë të enjte, në ditën e dytë të marshimit nga fakultetet respektive drejt Ministrisë së Arsimit, në “rrugën e Durrësit”, në Tiranë.

E enjtja shënon ditën e dytë për studentët në kryeqytet, e po ashtu edhe për ata në Elbasan, ndërkohë që studentët e Korçës janë bashkuar për herë të parë sot në bojkotimin e mësimit.

Ata të “Fan Nolit” në qytetin juglindor kanë dalë me parulla që paralajmërojnë një lëvizje edhe më të gjerë, si të vitit ’90, pavarësisht se kërkesat e tyre nuk kanë më lidhje me rrëzimin e diktaturës së dikurshme, por anulimi i VKM-së për tarifat shtesë në arsimin e lartë, përgjysmim i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve në konvikte, si dhe përfaqësimi në Bordin e Administrimit, ku ka përfaqësues nga fakultetet dhe Ministria e Arsimit.

Në kryeqytet ndërkohë, marshuesit kanë mbërritur në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për të dytën ditë me radhë, me kërkesën kryesore uljen e tarifave arsimore.

Gjithsesi, duket se në Gjirokastër mësimi vijon normalisht, ndërsa studentët e Shkodrës kanë njoftuar se do të bashkohen të premten me protestuesit, sikurse edhe ata të “Aleksandër Xhuvanit” në Elbasan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat