Kryesimi i OSBE, Shqipëria merr mbështetje unanime

Shqipëria

Kryesimi i OSBE, Shqipëria merr mbështetje unanime

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 14:09
OSBE

Shqipëria ka marrë mbështetjen unanime të vendeve anëtare të OSBE-së për kandidaturën e saj për të drejtuar këtë organizatë të rëndësishme në vitin 2020. Vendimi u zyrtarizua sot gjatë Takimit të 25-të të Këshillit Ministror të OSBE-së në Milano.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili mori pjesë në punimet e këtij takimi, tha se kjo është fitorja më e madhe e politikës së jashtme në kuadër të bashkëpunimit multilateral, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Tanimë Shqipëria hyn në një fazë vendimtare, në fazën e kontributit për arkitekturën e sigurisë evropiane, duke qenë në drejtim të kësaj organizate. Kryesia shqiptare e OSBE-së si një vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor vjen pas katër kryesive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm Shqipëria do të bëhet pjesë e Trojkës së kryesisë së OSBE-së, bashkë me Sllovakinë, e cila merr kryesinë në vitin 2019 dhe Italinë, që po mbyll kryesinë e saj. Në këtë kuadër, Bushati shprehu angazhimin e vendit në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në atë të OSBE-së në tërësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat