Barazi dhe integrim i plotë i personave me aftësi të kufizuara

Shqipëria

Barazi dhe integrim i plotë i personave me aftësi të kufizuara

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 16:55
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim një përfaqësi të Personave me Aftësi të Kufizuar.

Në takim, Presidenti Meta vlerësoi Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK), që merret prej viti 1996, me promovimin e mundësive të barabarta dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre në Shqipëri.

“Jam shumë i lumtur që jemi sot këtu në Institucionin e Presidentit, për të çelur një ekspozitë që ka në qendër të saj Fuqizimin Ekonomik të Personave me Aftësi të Kufizuara (PAK). Vetëm para disa ditësh, ne kujtuam Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, që na shërben si një moment reflektimi, por edhe nxitje të përpjekjeve të përbashkëta për të rritur ndërgjegjësimin për situatën në të cilën ndodhen PAK në çdo aspekt të jetës: politik, shoqëror, ekonomik e kulturor. Këtë ndërgjegjësim ne duhet ta bëjmë çdo ditë dhe jo vetëm në ditë të caktuara. Duhet të punojmë çdo ditë për të fuqizuar PAK dhe për të siguruar barazinë dhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri”,  tha Presidenti.

Më tej ai shtoi se “Natyrisht, një sfidë e madhe për PAK mbetet fuqizimi ekonomik, që do të thotë më shumë punësim për ju. Gjithë përfshirje do të thotë jo vetëm ambiente të aksesueshme nga ju, por mbi të gjitha përfshirje në tregun e punës, mbështetje nga të gjitha institucionet shtetërore duke përmirësuar sistemin e vlerësimit për punëkërkuesit me aftësi të kufizuara”.

Po ashtu Meta tha se “Personat me aftësi të kufizuara (PAK) ende ndeshen me paragjykim e diskriminim, veçanërisht kur flitet për punësimin e tyre, e për këtë është e nevojshme që të parashikohen fushata të vazhdueshme informuese e ndërgjegjësuese”.

“Por duhet edhe të promovohen e mbështeten institucionet shtetërore dhe kompanitë private që kanë demonstruar praktika të mira për punësimin e PAK, siç janë ato që ju keni paraqitur sot në ekspozitën tuaj”, përfundoi presidenti Meta. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat