Basha drejton gishtin nga Gjiknuri: Ishte në SHBA kur u themelua kompania fantazmë

Shqipëria

Basha drejton gishtin nga Gjiknuri: Ishte në SHBA kur u themelua kompania fantazmë

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 18:41
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua sërish protestës së banorëve të Unazës së Re, pasditen e sotme, ndërsa pasi qëndroi për disa minuta, bëri edhe një deklaratë për mediat.

Ai bëri thirrje për bashkim kundër të keqes, ndërsa bëri një apel edhe për medias që të mos mbrojë, por të denoncojë fort këtë aferë korruptive, siç e quajti kreu i PD-së.

Basha theksoi edhe njëherë thirrjen për Prokurorinë, që të hetojë kush fshihet pas ngritjes së skemës së madhe të vjedhjes me projektin e unazës së Re, me regjistrimin dhe konkurrimin e kompanive fantazmë.

“Media duhet të bëhet bashkë me popullin kundër kësaj të keqeje të madhe dhe të shkojë t’i drejtojë mikrofonin Arta Markut, për ta pyetur pse nuk po heton këtë aferë të madhe korruptive, ashtu siç po bëjnë autoritetet amerikane. Pse nuk zbardh prokuroria, kush fshihet pas kësaj kompanie fantazmë, që guxoi të marrë pjesë dhe të fitojë tenderin, me firma dhe dokumente të falsifikuara? Pse duhet të jenë në burg banorët e Unazës së Re, të cilët dolën të protestojnë për të mbrojnë pronën e tyre nga prishja e paligjshme?”, deklaroi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike vijoi edhe më tej, duke ngritur pyetje dhe akuza ndaj Ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, për të cilin tha se duhet të ishte prapa hekurave.

“Shkoni e pyesin Damian Gjiknurin, çfarë bënte në SHBA më 25 Qershor, ditën kur u themelua edhe kompania fantazmë. Sot në burg nuk duhet të jenë banorët që mbrojnë pronën e tyre nga paligjshmëria, por duhet të jetë Damian Gjiknuri dhe pronarët e kompanive që sollën këtë projekt të pakërkuar, për të ngritur një aferë korruptive”, tha kreu i PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat