Shqipëria ka publikuar të dhëna të ndjeshme për zyrtarët e inteligjencës shtetërore

Shqipëria

Shqipëria ka publikuar të dhëna të ndjeshme për zyrtarët e inteligjencës shtetërore

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 22:31
Foto ilustrim

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, ka publikuar në internet të dhëna të ndjeshme për zyrtarë të rëndësishëm të inteligjencës shtetërore, përfshirë hollësitë për identitetin e tyre, veturat, detyrat operacionale, udhëtimet dhe shprehitë ditore të tyre. Kjo po vlerësohet si një shkelje mjaft e rëndë, e cila ka mundësi të sjellë edhe pasoja në nivel ndërkombëtar.

Të dhënat për pagat dhe shpenzimet që janë publikuar në faqen e Ministrisë së Financave të Shqipërisë, ofrojnë shumë detaje për Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), përfshirë adresat e zyrave në terren, tërheqjet e të hollave kesh dhe të dhëna për punëtorët tjerë, siç janë punëtorët teknikë dhe mekanikët.

Në listat e publikuara shihen emrat dhe numrat e letërnjoftimit të agjentëve të shërbimit sekret, i njohur në komunitetin e inteligjencës si SHISH. Në këto të dhëna ekzistojnë emrat e agjentëve që veprojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, pa përjashtuar edhe dy agjentë që kanë pozita të ndjeshme në selinë qëndrore të NATO-s në Bruksel. Listat përmbajnë emra, pozita, paga dhe shpenzime të të paktën tetë agjentëve sekretë të Shqipërisë, disa prej të cilëve punojnë nën imunitet diplomatik në Belgjikë, Greqi, Kosovë, Itali, Maqedoni dhe Serbi.

Gjatë një takimi në njërën nga kafenetë e Tiranës me gazetarët e gazetës "The Independent", zyrtarët e SHISH-it bënë me dije se informatat e publikuara bëjnë pjesë në grupin e informatave të ndjeshme. "Në parim, çdo gjë që bën agjencia jonë duhet të mbahet e fshehtë, por ne duhet t'i zbatojmë të gjitha rregulloret. Rregullat nuk na lejojnë që të shpenzojmë të holla pa i raportuar ato", thotë një zyrtar i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Zyrtarët e inteligjencës dhe të sigurisë mbetën të shtangur nga lajmi për publikimin e këtyrë të dhënave, të cilat mund t'i vënë agjentët në pozita të rrezikshme të mbikëqyrjes dhe shantazhit nga agjencitë dhe organizatat rivale ose nga kriminelët që përpiqen ta infiltrojnë NATO-n. "Duke hyrë në sistemin e Shqipërisë, ata mund të hyjnë në sistemin e NATO-s", thotë Xhemal Gjunkshi, deputet nga radhët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, i cili shërben në Komisionin për Siguri Kombëtare dhe e ka pasur gradën e Gjeneral-Majorit në ushtrinë shqiptare. "Së pari fillojnë ta tërheqin fijen e pastaj përfundojnë në Bruksel, Londër apo në zyrën e një komandanti suprem të SHBA-së", thotë ai.

Një ish-agjent i CIA-s që e njeh sistemin e funksionimit të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, ka thënë se këto publikime janë një katastrofë burokratike që mund t'i rrezikojnë jetët e njerëzve. "Administratori mund ta djallosë situatën nëse nuk jeni të vëmendshëm. Ju mund ta publikoni buxhetin por publikimi i emrave dhe të dhënave tjera të agjentëve është çmenduri", ka thënë ish-agjenti i CIA-s në kushte anonimiteti. Në anën tjetër, një zëdhënës i NATO-s ka thënë përmes postës elektronike se nuk i komenton çështjet e inteligjencës.

Shërbimi Informativ i Shqipërisë është pasardhës i "Sigurimit të Shtetit", që ishte shërbim i spiunazhit në sistemin komunist. Ky shërbim kishte ndikim në të gjitha aspektet e jetës së shqiptarëve gjatë më shumë se katër dekadave të diktaturës së modelit stalinist. Sipas dokumenteve të Ministrisë së Financave, në SHISH janë të punësuar zyrtarisht 913 persona.

Sipas të dhënave të publikuara, një agjente femër që shërben në portin e Durrësit, emri dhe numri personal i së cilës janë të dukshëm në listë, e ka tërhequr një shumë prej 20 mijë eurosh përmes dhjetë transaksioneve gjatë këtij viti me arsyetimin se janë kryer "pagesa speciale", që mund të jenë të lidhura me pagimin e rrjetit të informuesve.

Zyrtarët kanë premtuar se do t'i largojnë të dhënat e publikuara. Gjatë kohës sa ato kanë qenë të qasshme, ka shumë gjasë që Shqipëria ka qenë në rrezik të keqpërdorimeve të të dhënave nga agjentët rusë ose agjencitë tjera të inteligjencës. Duket se Shqipëria vazhdimisht përballet me probleme për sigurinë e të dhënave, sidomos kur bëhet fjalë për shërbimin e inteligjencës. Vitin e kaluar, Presidenca e Shqipërisë e kishte publikuar një kopje të letërnjoftimit të kreut të SHISH-it, në të cilën shiheshin adresa e banimit dhe numri personal i tij.

Ligjet e Shqipërisë e ndalojnë publikimin e informatave sekrete të shtetit dhe e dënojnë një vepër të tillë me burgim maksimal prej dhjetë vitesh për zyrtarët e inteligjencës dhe pesë vjet për qytetarët e thjeshtë. Një ish-zyrtar i Shërbimit Informativ të Shqipërisë i tha gazetës "The Independent" se faji për këtë lëshim është brenda SHISH-it sepse ata ia kanë dhënë informatat e ndjeshme zyrtarëve të Ministrisë së Financave, të cilët nuk kanë të drejtë të kenë qasje në të dhënat e inteligjencës, shkruan "The Independent".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat