Basha: Protestat kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes

Shqipëria

Basha: Protestat kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 19:59
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ju bashkua edhe sot protestës së banorëve të “Unazës së Re” të Tiranes, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre.

Kryetari i PD, Basha tha se jo vetëm protesta e unazës së madhe, por edhe ajo e studentëve vijnë si pasojë e keqqeverisjes.

“Kjo situatë vjen për shkak të degjenerimit total të qeverisjes. Vendi prej disa vitesh nuk qeveriset, gjithçka është reduktuar në skema grabitjeje dhe vjedhjeje. Asgjë nuk e ilustron dot më mirë këtë situatë sesa afera e “Unazës së Madhe” të Tiranës. Po të mos ishte për rezistencën e banorëve, por edhe për transparencën që ka ofruar media, disa medie, sepse disa janë zhdukur fare, por edhe mbështetjen e Partisë Demokratike dhe të gjithë opozitës së bashkuar, pra po të mos bëhej kjo rezistencë, sot këto shtëpi do të ishin shembur”, – theksoi ai.

“Kjo qeverisje ka shkaktuar zemërimin e qytetarëve, kjo shpjegon pse qëndrojnë banorët e “Unazës”, pse qëndrojnë studentët dhe pse proteston biznesi i vogël”.

Lulzim Basha, tha se Kryeministri Rama përdori edhe sot gjatë daljes së tij publike një gjuhë përçarëse ndaj studentëve dhe pedagogëve.

“Edi Rama edhe sot, përdori gjuhë përçarëse për studentët dhe pedagogët, sepse shpresa e vetme që i ka mbetur, është se duke i përçarë do arrijë të mbajë karrigen”, – tha Basha.

Sipas kreut demokrat, protestat e ditëve të fundit nuk kanë për qëllim vetëm realizimin e kauzave që përfaqësojnë, por shembjen e të gjithë sistemit.

Përtej shembjes së sistemit arsimor, kjo është parathënia e një lëvizje për të shembur këtë sistem që ka ngritur Edi Rama dhe për t’i dhënë shqiptarëve një vend ku funksionon demokracia, ku Parlamenti me të vërtetë përfaqëson qytetarët dhe ku ekonomia nuk është në duart e 5 njerëzve”, – përfundoi Lulzim Basha. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat