Protesta në dy kampe, të rejat më të fundit nga Shqipëria

Shqipëria

Protesta në dy kampe, të rejat më të fundit nga Shqipëria

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 12:49
Pamje nga protesta

Sot, studentët janë sërish në protestë para Ministrisë së Arsimit. Këtë herë ata kanë hequr pankartat dhe në duar mbajnë letra të bardha. Ata refuzojnë kërkesat për dialog, por duan t’iu plotësohen 8 kërkesat që kanë paraqitur.

Mënyra e re e protestës sot është edhe një përgjigje ndaj deklarimeve të kryeministrit Rama mbrëmjen e së martës në emisionin “Top Show” në Top Channel, ku u kërkoi studentëve të ulen e të flasin për realizimin e të gjitha kërkesave të tyre, të cilat për kryeministrin janë të realizueshme.

Gazetarja Alma Demiraj, nga protesta te MASR-ja raportoi në lidhje të drejtpërdrejtë disa zëra studentësh, të cilët këmbëngulën se protesta e tyre duhej vazhduar përpara Ministrisë, duke u distancuar nga ata që kanë dalë përpara Kryeministrisë.

Një tjetër grup protestuesish qëndruan të gjithë natën para Kryeministrisë dhe janë ende aty duke protestuar. Ata bëjnë thirrje që të gjithë të largohen nga Ministria e Arsimit dhe të protestojnë para Kryeministrisë.

Gazetari Gazmend Janku solli gjithashtu zërin e protestuesve të atjeshëm, sipas të cilëve tashmë që ultimatumi ndaj Ministrisë për plotësimin e kërkesave ka skaduar, atëherë duhet protestuar kundër qeverisë. Megjithatë, sot kryeministri Rama ka pasur disa reagime në rrjetet sociale, njëri prej të cilëve drejtuar studentëve, duke përsëritur thirrjen për dialog.

Opozita ndërkohë ka deklaruar se është në mbështetje të protestës së studentëve, sikurse ka mbështetur edhe protestat e tjera që po zhvillohen nëpër rrethe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat