Shqiptarët e Shqipërisë me jetën më të komplikuar në Europë

Shqipëria

Shqiptarët e Shqipërisë me jetën më të komplikuar në Europë

Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 15:19
Ilustrim

EUROPE : Jeta është bërë kaq e komplikuar në ditët e sotme, sa pothuajse nuk mund të gjej rrugën time. Është ky pohimi, për të cilin qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të vendeve kandidate janë pyetur nëse bien dakord apo jo, në një sondazh të Komisionit Evropian për mbështetjen dhe përjashtimin social.

Si gjithnjë, shqiptarët nuk kanë ‘zhgënjyer’ si më pesimistët e Europës. 53 për qind e tyre janë përgjigjur se bien dakord ose shumë dakord me këtë pohim, përqindja më e lartë nga vendet e Europës dhe tre herë më e lartë sesa mesatarja evropiane. Femrat janë më pesimiste sesa meshkujt shqiptarë, me përkatësisht 55 për qind dhe 50 për qind, që kanë rënë dakord me pohimin.

Nga vendet e rajonit, 20 për qind e malazezëve mendojnë se jeta e tyre është e komplikuar, 34 për qind e maqedonasve dhe 30 për qind e serbëve. Më në terezi në Europë e kanë suedezët, vetëm 7 për qind e shohin jetën si të komplikuar dhe gjermanët me 8 për qind. Pas shqiptarëve, në Europë renditen rumunët me 43 për qind.

Edhe shqiptarët me të ardhura të larta, sërish nuk e gjejnë veten me 34 për qind e tyre që janë dakord me pohimi, nga 9 për qind që është mesatarja evropiane për të njëjtin grup të ardhurash. Për klasën e parë, me të ardhura të ulëta, pohimit i janë përgjigjur pozitivisht 64 për qind e të anketuarve shqiptarë, e dyta në Europë pas bullgarëve me 76 për qind.

Të gjithë shqiptarët nga të rinjtë tek të vjetrit, e shohin jetën të komplikuar, por ata që nuk gjejnë rrugëdalje rezultojnë të moshuarit. 63 për qind e grupmoshës nga 50-64 vjeç dhe 58 për qind e asaj mbi 65 vjeç bien dakord me pohimin se jeta është shumë e komplikuar.

Nga të rinjtë e moshës nga 18-24 vjeç, 34 për qind e shohin jetën të komplikuar, e dyta më e lartë në Europë, pas bullgarëve me 36 për qind.

E lartë është përqindja e grupmoshës aktive në forcë pune që nuk shohin rrugë dalje. 47 për qind e grupmoshës 25-34 vjeç dhe 54 për qind e grupmoshës 35-49 vjeç pohojnë se nuk e gjejnë rrugën e tyre, një përqindje shumë më e lartë se shtetet e tjera të rajonit dhe mesatarja e Bashkimit Europian.

Nga sondazhet e mëparshme rezulton se është pikërisht grupmosha e re, që ka një dëshirë të lartë për të emigruar. Sondazhi për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert, zbuloi se 52 për qind e popullsisë në grupmoshën 18-40 vjeç dëshiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me vitin 2007.

Vrojtimi tregoi se rreth 50 për qind e personave që marrin paga nga 1,000-1,470 euro duan të largohen. Gjithashtu, u pa se 70 për qind e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat