KFOR-i, spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë

Shqipëria

KFOR-i, spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 10:50
Ditmir Bushati

KFOR-i është një spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë. Kështu deklaroi sot ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, pas një takimi në Tiranë me zëvendësekretaren e NATO-s, Rose Gottemoeller.

Në një deklaratë për shtyp pas takimit, Bushati shprehu vlerësimin maksimal për rolin e KFOR-it në Kosovë.

Duke u ndalur te sfidat me të cilat përballet rajoni, Bushati tha se “ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në mënyrë që rrezja e stabilitetit demokratik të NATO-s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë e pacenueshme”.

Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi po ashtu edhe bashkëpunimin mjaft të mirë me Aleancën.
“Diskutuam në radhë të parë në lidhje me angazhimet e Shqipërisë në organizatë, si dhe zhvillimeve pozitive të vendit tonë për shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Shqipëria ka rritje në buxhetin e mbrojtjes, sikundër do të vijojë të japë kontributet e saj në misionet e NATO-s”, tha Bushati.

Ministri informoi se në takim me zv.sekretaren e NATO-s u këmbyen pikëpamje rreth situatës së sigurisë në rajon.

“Anëtarësimi në NATO është një nga arritjet më të mëdha për ne pas shembjes së regjimit komunist dhe ne e vlerësojmë këtë arritje edhe duke zbatuar angazhimet në praktikë dhe duke u përpjekur për të projektuar më shumë stabilitet demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore”, tha Bushati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat