Rama shpreh bindjen se protesta e studentëve do mbyllet siç ai do...me dialog!

Shqipëria

Rama shpreh bindjen se protesta e studentëve do mbyllet siç ai do...me dialog!

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 11:50
Protesta e studentëve

Në ditën e 11-të të protestës së studentëve, kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur se e vetmja zgjidhje do të vijë përmes dialogut për të arritur plotësimin e 8 kërkesave të studentëve, edhe më shumë, përmes një pakti me qeverinë.

Rama ka postuar në rrjetet sociale, një foto nga studentët që qëndrojnë para kryeministrisë, dhe thotë se ky është veçse një grup studentësh të cilët i janë shitur politikës, për ta kthyer atë që nisi si një protestë masive vetëm e studentëve, në një revoltë të orkestruar nga opozita shqiptare.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë shpreh bindjen se shumë shpejt do të shkohet drejt dialogut.

“Një grusht njerëzish që përsërisin qorrazi avazin kundër Dialogut, mbajnë peng mijëra studentë që duan dhe meritojnë jo vetëm adresimin e 8 pikave, po një transformim të thellë brenda Universitetit, përmes një Pakti me Qeverinë! Historia tregon për shumë raste kur Dialogut i janë trembur qeveritë, po s'ka bërë vaki kurrë që t'i tremben studentët dhe studentët sot në fakt, nuk i tremben Dialogut, po presioneve kundër Dialogut, sharjeve e fyerjeve ndaj kujtdo që kërkon Dialog, të cilat porositen nga partitë përmes studentësh që i'a kanë shitur shpirtin politikës më të mbrapshtë. Sidoqoftë farsa e kësaj barrikade absurde kundër Dialogut, s'ka për të zgjatur sa ka zgjatur. Dialogu do zhbllokohet, Arsyeja do fitojë dhe së bashku ne do të hapim një kapitull të ri për Universitetin.

Kjo farsë e orkestruar për të marrë peng protestën, me shpresën e devijimit të saj në revoltë politike, s'mund ta mbajë edhe për shumë gjatë në këmbë barrikadën absurde Antidialog”, shkruan Rama.

Studentët nuk janë shprehur kundër dialogut, ama diskutimet dhe negociatat e mëtejshme me kryeministrin, presin t’i bëjnë vetëm pasi shefi i mazhorancës të ketë realizuar 8 kërkesat e tyre bazike që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat