“Hidhni armët, asnjë lëvizje”, si u grabit makina me milionat e patentave

Shqipëria

“Hidhni armët, asnjë lëvizje”, si u grabit makina me milionat e patentave

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 22:02
Foto ilustrim

Po transportonte paratë e Drejtorisë së Patentave për në bankë, grabiten 7.5 milionë lekë nga makina e sigurisë private.

Makina e një kompanie sigurie private, që po kryente transferimin e parave nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Durrës drejt një banke të nivelit të dytë, e gjendur në një distancë të afërt nga institucioni shtetëror ka rënë pre e një grabitjeje. Bëhet fjalë për një grabitje me armë, ku autorët kanë mundur të marrin rreth 7.5 milionë lekë të rinj.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në Lagjen 14 të qytetit bregdetar, e njohur si lagjja “Shkozet”. Mjeti i blinduar i kompanisë private shoqërohej nga dy efektivë të armatosur. Sulmi ndaj tyre ka ndodhur në momentin që kanë ndaluar para filialit të bankës për të bërë dorëzimin e parave.

Në këtë moment, tre persona të maskuar dhe të armatosur i kanë kërcënuar: “Hidhni armët dhe mos bëni asnjë lëvizje ose do t’ju qëllojmë”. Efektivët e kompanisë private të sigurimit janë gjendur të papërgatitur dhe nuk kanë bërë rezistencë. Ata nuk e kanë pritur se mund të sulmoheshin pikërisht përpara bankës që ndodhet në rrugën kryesore dhe aq më tepër në mes të Shkozetit të mbipopulluar në atë orë.

Por kjo nuk i ka penguar autorët që nën kërcënimin e armës të marrin shumën e parave dhe të largohen menjëherë me një makinë tip “Benz” në drejtim të Shijakut. Efektivët e Policisë private që kryenin transportin e parave lajmëruan menjëherë qendrën e tyre dhe nga aty informohet edhe Policia e Shtetit, e cila u vu menjëherë në lëvizje.

Pak minuta pas grabitjes, Policia u vu në ndjekje të autorëve, duke mobilizuar edhe efektivë të Komisariatit të Shijakut, të cilët po krehin të gjithë zonën për kapjen e tyre. Nga ana tjetër, hetuesit po punojnë me analizimin e pamjeve të fiksuara nga kamerat e sigurisë së filialit të bankës ku do të dorëzoheshin paratë, me qëllim identifikimin e autorëve. “Autorët po përpiqemi t’i identifikojmë nëpërmjet analizimit të kamerave të sigurisë të bankës, që kanë arritur të fiksojnë të gjithë skenën e grabitjes.

Siç tregojnë edhe pamjet e fiksuara, në momentin që para bankës u ndal makina e transportit të parave, dy prej autorëve të maskuar kanë zbritur nga makina tip “Benz” që ndodhej aty e parkuar, ndërkohë personi i tretë (shoferi) qëndronte gati në makinë. Në momentin që efektivët privatë po nxirrnin paratë nga mjeti, autorët janë afruar me shpejtësi dhe u kanë kërkuar të hidhnin paratë dhe armët në tokë dhe të mos lëviznin. Të gjendur të papërgatitur, efektivët e Policisë private iu janë bindur autorëve, që i kërcënonin se do t’u qëllonin në rast se do të bënin rezistencë.

Pasi kanë marrë paratë, ata kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të Shijakut, ku edhe kanë humbur gjurmët për momentin”, thanë burime nga grupi hetimor. Ndërkohë, Policia po verifikon edhe mjetin që përdorën autorët, i cili dyshohet të jetë me targa që i përkasin një mjeti që prej kohësh ka dalë nga qarkullimi. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Policia shoqëroi për verifikim disa persona, por pa ndaluar asnjërin prej tyre si të dyshuar për grabitjen e ndodhur pasdite në Shkozet./panorama

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat