Rama, studentëve: S’jeni Luli? Pse bëni si ai? Nuk kërkoj pazare, por dialog!

Shqipëria

Rama, studentëve: S’jeni Luli? Pse bëni si ai? Nuk kërkoj pazare, por dialog!

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 06:17
Foto

Insistimi i kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët vazhdon prej disa ditësh. Vetëm sot, shefi i qeverisë u ka bërë thirrje 3 herë studentëve të ulen në tryezë për të diskutuar për 8 pikat, që i ka cilësuar të realizueshme, për finalizimin e tyre.

Përmes një statusi në twitter, Rama shkruan se nuk kërkon as pazar dhe as negociata, por vetëm dialog.

Shefi i qeverisë ka publikuar pankarten e një studenteje ku shkruhet: S’jemi Luli që të bëjmë pazare.

Megjithëatë, Rama shkruan se pavarësisht se studentët thonë se nuk janë Basha, ata po sillen ekzaktësisht si kryetari i PD që u mbyll në çadër dhe që në fund vetëm humbet.

“S’jeni Luli? Po atëherë pse bëni ekzaktësisht si Luli që futet në çadër e bërtet, s’dua dialog, plotëso kërkesat se s’dal nga çadra!? Ikën nga Kuvendi e bën të njëjtën gjë, plotësoji se s’vij! E pastaj në fund vetëm humbet! Kush ju kërkon pazare? Unë jo njëherë. As negociata. DIALOG.”-shkruan Rama.

Studentët vazhdojnë protestën para kryeministrisë, poshtë dritares së Ramës, edhe pse ka një rënie të numrit të pjesëmarrësve.

Ndërhyrja e PD-LSI, moti i keq dhe gatishmëria e kryeministrit për të plotësuar 8 pikat, e ka ndalur hovin e protestës, ndërsa brenda studenteve ka zëra që duan dialog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat