Ekonomi: Ligji i Arsimit të Lartë ka nevojë të zbatohet, jo të rishikohet

Shqipëria

Ekonomi: Ligji i Arsimit të Lartë ka nevojë të zbatohet, jo të rishikohet

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 17:14
Milva Ekonomi

“Për ne është shumë i rëndësishëm fakti që studentët janë ata që tregojnë se e ardhmja e Shqipërisë ka nevojë për vëmendje”, tha deputetja e partisë Socialiste, Milva Ekonomi, duke komentuar protestën e studentëve në një studio televizive. Ajo vuri në dukje se vëmendja që po u jepet studentëve kërkohet përmes dialogut. “Duke qenë se janë shtresa e intelektualëve të ardhshëm dhe kanë nevojë të forcojnë edhe më shumë disa parime demokratike në komunikim, një parim demokratik është padyshim dialogu. Të gjitha kërkesat që ata kanë bërë por edhe më shumë ne jemi gati t’i dialogojmë”, theksoi Ekonomi.

Sipas saj, tetë pikat janë gjëra për të cilat duhet diskutuar në tavolinë. “Për shembull një nga kërkesat e tyre është rritja me 5% të GDP-së për Arsimin. Unë dua t’ju them që të paktën që buxheti për Arsimin ka ardhur në rritje, sa i takon GDP-së por kjo me një program të caktuar. Nga 2.9 ka shkuar në 3.32, nga 3.2 që ishte vjet në 3.32 tani. Pra ka nevoje që të ne të ulemi dhe të diskutojmë se ku janë burimet dhe ku janë mundësitë që t’i dedikojmë buxhetin e arsimit nga sektorë të tjerë. Këto janë angazhime që duhen marë konkretisht dhe detyra që kemi ne për të bërë është që t’i ndjekim konkretisht”, theksoi Ekonomi.

Kjo, tha ajo, është një kërkesë që ka qenë tek programi i Partisë Socialiste, për të shkuar drejt 5% të GDP-së për arsimin. “Ajo që duhet negociuar është me çfarë shpejtësie duhet ta rrisim, prandaj është shumë e domosdoshme të dialogojmë”, tha Ekonomi.

“E rëndësishme shumë është mënyra sesi ne do të shpërndajmë në buxhet përgjysmimin e tarifave dhe çfarë u kemi dhënë si bonus të gjithë kësaj pike që kanë vënë studentët. Blloku i paketës ekonomike –financiare është marrë në shqyrtim nga ne. Ju e keni dëgjuar që kryeministri ka dalë me një propozim dhe thotë: studentët e ekselencës nuk mund të jenë vetëm ata që janë të ekselencës. Studentë ekselence nuk mund të jenë vetëm ata që janë të 10-ës por duhet ta hapim pak numrin e ekselencës. Duam që të jenë edhe ata që janë më në 9-ta dhe me 10-ta. Dhe kur këta kanë një mbështetje që është mbështetja me bursë, mbështetja me 100% të tarifës sikurse është për ata të ndihmës ekonomike. Ata që janë stduentë mesatarë në vitin e parë kanë një mbështetje gjysmë për gjysmë tarifimi, më pas në bazë të rezultateve çdo gjë do të mbështetet dhe konkurrenca e dijes bëhet pjesë e tarifimit, merr një kuptim konkurrenca e ndershme e studentëve. A do të bëhen gati për t’i vendosur këto gjëra? A është kjo mënyra e të menduarit që ka nevojë për dialog me studentët?”, theksoi Ekonomi.

Studentët, vuri në dukje deputetja socialiste, duhet të kuptojnë që ka një mënyrë tjetër për të diskutuar që është ardhmëria e tyre në tregun e punës.

E pyetur për ligjin e Arsimit të Lartë, Ekonomi theksoi se nuk ka nevojë për rishikim të tij.

“Unë mendoj që Ligji i Arsimit të Lartë ka nevojë të implementohet shumë mirë. Ajo që ndodhi me Ligjin e Arsimit të Lartë ishte një dëshirë e kahershme e universiteteve në Shqipëri që të kishin autonomi. Ato morën autonomi dhe ndërkohë po punohet për të ndërtuar këtë autonomi. Kjo është përpjekja e parë dhe ka një moment që ka reflektim, do të reflektohen të gjitha mundësitë duke vendosur të gjitha në vendimet e Këshillit të Ministrave dhe ky ligj është një ligj që duhet të shkojë dhe të bëjë ciklin e vet legjislativ, të përfundojë një cikël i plotë i zbatimit të Ligjit të Arsimit të Lartë. Ndryshe nuk mund të marrësh përsipër që të ndryshosh ligjin sepse ka shumë gjëra të mira ky ligj”, tha ajo.

“Ajo që ka ndodhur në këtë periudhë është që zbatimi i ligjit u ngadalësua. Duhet të ishte bërë më shpejt nga VKM që rridhnin nga ligji dhe nëse shpejtësia e ligjit rritet ne do të shikonim që çfarë do të sillte ligji. Në këtë moment jemi duke folur se pavarësia e universiteteve është e rëndësishme. Në autonominë e universiteteve marrin pjesë disa aktorë. Vetë rektorati, vetë studentët dhe vetë ministria e Arsimit. Këto bashkërendojnë. Mosfunksionimi i këtyre dy hallkave nuk tregon që ligji nuk është mirë, por tregon që duhet të bëhemi gati për një mënyrë të re se si duhet të operohet”, tha Ekonomi.

“Qeveria po punon shumë fort që të arrijë dialogun dhe një nga punët e mëdha që nuk bën vetëm qeveria aktualisht por bën i gjithë grupi parlamentar i mazhorancës, është që po e mendon këtë moment me shumë seriozitet dhe po përpiqet të krijojë me të gjithë atë skenar që duhet të çojë në zgjidhje të këtyre pikave që kanë vënë studentët dhe pëveçse zgjidhjes që kanë vënë studentët, të zgjidhen me studentët se kush është rruga më e mirë e qasjes ndaj problemeve”, tha ajo.

“Unë besoj se kjo gjë do të jetë në zgjidhje në vijim sepse kemi një rast siç është universiteti  i Gjirokastrës ku çështja e tarifave nuk përbën problem. Kemi Vlorën, Durrësin ku po zhvillohet normalisht procesi mësimor. Ka çështje kostoje për stduentët që kërkon një analizë shumë të mirë. Përderisa në universitete tona ka një ndjeshmëri të tillë që duan t’i zgjidhin këto probleme, tregon se ky proces do të shkojë drejt dialogu”, theksoi Ekonomi.

Sipas saj, në lidhje me përgjegjësinë e rektorëve, Ligji i Arsimit të Lartë ishte një ligj që kërkonte të komunikohej më shumë me ata që ishin përdorues të ligjit.

Ekonomi shprehu bindjen se protesta e studentëve do të mbyllet brenda këtij viti me rrugëzgjidhje. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat